Lidhje

Beteja për vendin bosh në Gjykatën e Lartë


Beteja për vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë amerikane del më në fokus këtë javë me senatin që kthehet në punë pas një pushimi njëjavor, ndërsaShtëpia e Bardhë vazhdon të shqyrtojë kandidatura të mundshme. Siç njofton korrespondenti Michael Bowman, ngërçi partiak për zëvendësimin e gjyqtarit Antonin Scalia është zmadhuar dhe intensifikuar nga politika e këtij viti zgjedhor.

Vendi nderoi me respekt gjyqtarin Antonin Scalia, ndërsa beteja partiake vazhdon. Udhëheqësi i shumicës në Senat dhe kryetari i Komisionit të Drejtësisë publikuan një letër të hapur ku argumentojnë se presidenti i ardhshëm dhe jo Barack Obama duhet të zgjedhë zëvendësuesin e zotit Scalia në Gjykatën e Lartë.

Shtëpia e Bardhë ka mendim të ndryshëm. Zëdhënësi Josh Earnest:

“Presidenti ka për detyrë kushtetuese të emërojë pasardhësin kurdo që ka një vend bosh në Gjykatën e Lartë dhe Senati ka detyrën kushtetuese të organizojë seanca për shqyrtimin e kandidaturës e të votojë pro apo kundër.”

Republikanët ngulin këmbë se ndërsa presidenti Obama mund të emërojë një kandidat, senati mund të mos e miratojë ose të vonojë konfirmimin deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Disa senatorë republikanë kanë thënë se duhet të shqyrtohet çdo kandidaturë që emërohet nga presidenti Obama. Edhe nëse kjo ndodh, shumë vëzhgues dyshojnë se një mbështetje e mjaftueshme dypartiake mund të materializohet për të avancuar kandidaturën për një votim përfundimtar.

Qysh tani, grupet e interesit po reklamojnë në televizion.

Beteja është bërë një nga çështjet kryesore në fushatën presidenciale.Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton:

“I dëgjon republikanët të thonë se do të kundërshtojnë çdo gjyqtar që emëron presidenti Obama sado i kualifikuar të jetë. Miqtë e mi, le t’u kujtojmë republikanëve se Barack Obama është president i Shteteve të Bashkuara.”

Kandidati republikan për president Ted Cruz:

“Zgjedhjet do të jenë një referendum për Gjykatën e Lartë dhe mund t’ju them se mezi po pres të debatoj me Hillary Clinton apo Bernie Sanders apo me këdo socialist tjetër që do të emërojnë demokratët.”

Shtëpia e Bardhë mund të emërojë një kandidat për Gjykatën e Lartë gjatë ditëve apo javëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG