Lidhje

Printimi 3D dhe mjedisi


Printerat 3D për përdorim personal do të mund të funksionojnë me plastikë të thjeshtë. Shkencëtarët në Belgjikë kanë krijuar një lloj materiali plastik që nuk dëmton mjedisin dhe që mund të përdoret jo vetëm për printera 3D, por edhe në mjekësi.

Që nga fillimi i viteve 80-të, kur ishin thjeshtë instrumente laboratori, printerat 3D janë shndërruar tashmë në paisje për konsumatorët, të cilët mund të krijojnë me to projekte komplekse.

Shumë njerëz e shohin këtë si fillimin e revolucionit të tretë industrial, por mjedisorët thonë se toka do të rrezikohej nga mbeturinat plastike në oqeane dhe tokë.

Më e dëmshmja është plastika e patretshme me bazë hidrokarburi. Alternativat e tjera që nuk dëmtojnë mjedisin kanë kosto më të lartë, si plastika PLA, e prodhuar nga acidi polilaktik me bazë sheqernat.

Tashmë, shkencëtarët në Universitetin Leuven kanë gjetur një mënyrë për ta prodhuar PLA-në më shpejt dhe me kosto më të ulët.

“Në dallim nga proçeset e deritanishme, proçesi ynë ka vetëm një fazë, zhvillohet në temperaturë më të ulët dhe ka rendiment më të lartë të volumit të prodhuar. Gjithashtu, gjatë proçesit nuk prodhohen mbetje.”

PLA-ja është një plastikë e përshtatshme jo vetëm për printerat 3D, por edhe për disa materiale mjekësore të tretshme në mjedis, si fijet për qepjen e plagëve.

“Mendoj se do të fillojnë të hyjnë më tepër prodhues të këtij materiali në treg duke ulur më tej çmimin e tij. Ky do të jetë fillimi i futjes së plastikës PLA në biznesin e plastikës së tretshme.”

Megjithëse PLA-ja nuk është e përshtatshme për të gjitha përdorimet, një kompani petrokimike po e zhvillon tashmë proçesin për prodhim masiv, duke rritur kështu edhe shpresën se në të ardhmen e afërt më shumë produkte plastike do të jenë të prodhuara nga materiale të tretshme në mjedis.

XS
SM
MD
LG