Lidhje

Të zhvendosurit e luftës në Ukrainë


Kur forcat me mbështetjen ruse morën kontrollin e objekteve në Ukrainën lindore, duke filluar një konflikt që ende vazhdon, shumë ukrainas menduan se kriza nuk do të zgjaste për një kohë të gjatë. Dy vjet më vonë, kur sanksionet e Perëndimit dhe dy marrëveshje paqeje nuk e kanë ndalur dot ndërhyrjen e Rusisë, lufta vazhdon dhe shumë nga personat e zhvendosur i kanë të pakta shpresat se do të mund të kthehen në shëpitë e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Kiev Luis Ramirez, na njeh me historinë e një gruaje dhe me mënyrën realiste me të cilën ajo e sheh këtë situatë që disa e shohin si të pashpresë.

Ky është një mëngjes si gjithë të tjerët në Kiev për Viktoria Vasilevskayan - një më tepër se sa ajo kishte planifikuar të kalonte këtu kur mbërriti fillimisht në vitin 2014 nga qyteti i saj Luhansk, që tani është nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

“Rreth orës 4 të mëngjesit, më telefonoi një shoqe dhe më tha: "Viktoria, gjendja është shumë e rrezikshme, në qytet po hyjnë makina të blinduara." Nuk di pse, por na dukej se për dy javë gjithshka do të qetësohej."

Viktoria, i shoqi dhe fëmijët e tyre, ishin në mesin e 1.4 millionë njerëzve të zhvendosur nga konflikti dhe që erdhën në Kiev. Por në shumë drejtime, jeta ka vazhduar…

Ajo është dermatologe, por tani punon në këtë qendër që ndihmon njerëzit e zhvendosur nga rajonet e Krimesë dhe të Donbasit. Solidariteti dhe bujaria që ajo sheh këtu çdo ditë ja bëjnë krizën të durueshme. Por a dëshiron ajo të kthehet në Luhansk?

“Po të ma kishe bërë këtë pyetje vitin e kaluar, unë do të të kisha thënë se valixhet i kam gati. Do t'i paketoja menjëherë dhe do të isha gati të kthehesha në shtëpi. Gjysëm viti më parë, ndoshta do të kisha patur dyshim për këtë, por sot mund të them patjetër, se do të duhen disa vjet që të kthehemi."

Çdo ditë në qendër vijnë aplikime të reja. Ata janë larguar nga zona e luftës, por sjellin me vete shokimin dhe traumën e luftës.

“Askush prej nesh nuk e kishte imagjinuar, qoftë edhe në një ëndërr të keqe, se do të kishim luftë. Nuk e di përse, por ne ishim plotësisht të sigurtë se nuk do ta kishim patur këtë fat."

Askush nga njerëzit e intervistuar nuk thotë se kanë hequr dorë nga ideja e kthimit në shtëpitë e tyre.

“Arsyeja e parë për t'u kthyer do të ishte që Ukraina të kishte përsëri kontrollin e këtij rajoni."

Në kushtet kur lufta në Lindje nuk tregon shenja ngadalësimi pas dy vjetësh, shumë nga personat e zhvendosur janë duke e pranuar realitetin e ri, që mund të vazhdojë për disa vite, në mos përgjithmonë, derisa në rajon të kthehet normaliteti.

XS
SM
MD
LG