Lidhje

Mandati i Kokëdhimës në Kushtetuese


Këshilli i Mandateve dhe Rregulloreve i Parlamentit, ka vënë në zbatimin vendimin e Gjykatës. Opozita: E njejta procedurë të ndiqet dhe për dy deputetët e tjerë të shumicës

Në Shqipëri do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë mbi fatin e mandatit të deputetit socialist Koco Kokëdhima. Këshilli i Mandateve dhe Rregulloreve i Parlamentit, ka vënë në zbatimin vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas së cilës mjafton kërkesa e një të dhjetës së anëtareve të parlamentit, që ky i fundit t’ia dërgojë kësaj Gjykate çështjet për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.

Deputeti Kokëdhima, i njohur vecanërisht për lidhjet e tij të ngushta me kryeministrin Edi Rama, i cili e përfshiu atë në listën e deputetëve të partisë së tij në zgjedhjet e 2013, është akuzuar prej kohësh nga opozita se ka përfituar fonde publike në konflikt interesi me mandatin e tij parlamentar. Sipas opozitës, ndërkohë që ai kishte marrë mandatin, një kompani internet që ai ka patur në zotërim, ka lidhur kontrata me një numër të madh entesh publike. Por zoti Kokëdhima, ka mbrojtur gjatë gjithë kohës tezën se kontrata për të cilat akuzohet janë lidhur para se ai të merrte mandatin, dhe se më pas ai ka hequr dorë nga aksionet e tij në këtë kompani dhe të tjera të zotëruara prej tij.

Një kërkesë e hershme e opozitës për ndërprerjen e mandatit të tij, u rrëzua nga parlamenti, gjë e cila bëri që opozita t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi që rastet e konfliktit të interesit do të duhet të shqyrtohen në themel prej saj dhe se roli i parlamentit mbetej thjesht formal kur kishte një kërkesë prej së paku një të dhjetës së deputetëve.

Përfaqësuesit e opozitës thanë mbrëmë se e njejta procedurë e ndjekur për deputetin Kokëdhima do të duhet të vihet në jetë dhe për dy pjestarë të tjerë të shumicës, Rakip Suli dhe Valentina Leskaj, për të cilët gjithashtu ajo pretendon se janë në konflikt interesi. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këto raste është një nga kushtet që opozita ka përmendur javën e shkuar, për rikthimin e saj në sallën e parlamentit.

Vendimi i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për rastin Kokëdhima, pritet të votohet nga parlamenti në seancën e radhës së ditës së enjte.

XS
SM
MD
LG