Lidhje

Kosovë, aktakuzë ndaj tre personave për përfshirje në luftërat e huaja


Prokuroria e Posaçme Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprën penale, bashkim apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Kosovës.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “gjatë zhvillimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale, është vërtetuar fakti se të pandehurit, së pari janë marrë vesh që të takohen te Stacioni i autobusëve në Prishtinë, me qëllim që të udhëtojnë për në aeroportin e Shkupit në Maqedoni, e pastaj nga ai aeroport të fluturojnë në aeroportin e Stambollit në Turqi, për të udhëtuar në Siri, për t’ iu bashkangjitur organizatës terroriste ISIS”.

Në njoftim thuhet më tej se “të pandehurit, kur kanë arritur në aeroportin e Stambollit, janë ndaluar nga autoritet e Turqisë dhe pasi që kanë dyshuar se të njëjtit do të udhëtojnë për në Siri, i kanë kthyer prapa përmes aeroportit të Shkupit ku të njëjtit përmes pikës kufitare në Han të Elezit kanë hyrë në Kosovë ku dhe janë ndalur nga Policia e Kosovës”.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Në muajin mars të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

XS
SM
MD
LG