Lidhje

Zgjedhjet paraprake të së martës


E marta e sotme shënon një moment të rëndësishëm në procesin e zgjedhjes së kandidatëve nga dy kampet rivale – demokratët dhe republikanët, për zgjedhjet presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara. Votimet sot zhvillohen në një atmosferë të ndezur, kur janë shënuar një numër incidentesh mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të pretendentit që kryeson garën republikane, Donald Trump.

Agjentët e Shërbimit Sekret u hodhën në veprim kur një person nga turma tentoi të sulmonte kandidatin republikan Donald Trump në një tubim në Ohajo.

Zoti Trump tha më pas se ishte gati të kundërpërgjigjej.

“Nuk e di a do të ishte veprimi i duhur, por do ta kisha goditur...”

Zoti Trump anuloi një tubim të premten në Çikago, si rezultat i protestave dhe pasi një tjetër tubim në Qytetin e Kansasit u shoqërua nga përleshje brenda dhe jashtë sallës ku pritej të fliste kandidati.

Pavarësisht këtyre incidenteve, anketat tregojnë se zoti Trump pritet të dalë mirë në zgjedhjet e sotme.

“Kemi krijuar një lëvizje. Jo vetëm këtu por në të gjithë vendin po vërehet e njëjta gjë,” u shpreh zoti Trump.

Rivalët e zotit Trump kanë kritikuar si protestuesit, ashtu edhe tonin konfrontues të kandidatit republikan, përfshirë senatorin Marco Rubio, i cili ka kritikuar atë që e cilëson si politikë e frikës:

“Duhet të përqafojmë udhëheqës që nuk e kërkojnë votën duke i mëshuar mesazhit të frikës dhe mungesës së shpresës, por me premtimin se sa lart mund ta ngrenë vendin nëse bëhen ato që duhet”.

Duket se sfida kryesore e zotit Trump do të jenë votimet në Ohajo, ku ai është në garë të fortë me guvernatorin e këtij shtetit John Kasich.

“Nuk mendoj se ai do të sigurojë emërimin e partisë. Unë do të fitoj në Ohajo; mbështetja për ne po rritet në të gjithë vendin”.

Fitorja e zotit Kasich në Ohajo mund të ngadalësojë marshimin e zotit Trump drejt emërimit të partisë, thotë analisti Henry Olsen:

“Është vështirë të imagjinojmë që dikush tjetër përveç zotit Trump mund të sigurojë 1237 delegatë. Pra nëse Donald Trumpi ka 70% shans për fitore, do të thotë që ka 30% gjasa që ai të mos fitojë dhe të zgjidhet një kandidat tjetër”.

Në garën demokrate, pretendentja kryesore Hillari Clinton pritet të fitojë në të pesë shtetet ku votohet sot. Megjithatë, zonja Clinton vazhdon të ketë konkurrencë nga kandidati Bernie Sanders:

“Po bëjmë diçka vërtetë radikale në politikën amerikane. Po themi të vërtetën,” u shpreh zoti Sanders.

Përveç Floridës dhe Ohajos, votimet zhvillohen edhe në Ilinoi, Mizuri dhe Karolinën e Veriut.

XS
SM
MD
LG