Lidhje

Shtatë të arrestuar në Belgjikë


Policia belge arrestoi shtatë persona, ndërsa Gjermania dy në hetimet për shpërthimet vetëvrasëse të grupit Shteti Islamik në Bruksel. Hetuesit besojnë se shpërthimet e së martës u kryen nga e njëjta celulë përgjegjëse për sulmet me armë dhe bomba që vranë 130 njerëz në Paris në muajin nëntor. Ndërkohë, sot, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shkoi në Bruksel për të ofruar ndihmën amerikane.

Zyra e prokurorisë federale belge tha se gjashtë persona janë ndaluar gjatë kërkimeve në lagjet Schaerbeek në veri dhe Jette në perëndim të Brukselit si dhe në qendër të kryeqytetit belg. Televizioni publik belg tha se një person i shtatë u arrestua në lagjen Forest të kryeqytetit mëngjesin e sotëm.

Revista Der Spiegel e Gjermanisë njoftoi ndërkohë se policia gjermane ka arrestuar dy persona.

Sulmi në Bruksel, ku kanë selinë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, ka rritur shqetësimet e sigurisë në mbarë botën dhe ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e shteteve të BE-së për t'iu përgjigjur në mënyrë të efektshme dhe të bashkërenduar kërcënimit militant islamik.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shkoi sot në Bruksel për të ofruar ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dy nga viktimat e Brukselit ishin shtetas të tyre.

"SHBA qëndrojnë fuqishëm përkrah Belgjikës dhe vendeve të Evropës përballë kësaj tragjedie. Ne bashkohemi me ju duke falenderuar ekipet mjaft të guximshme të emergjencës, që vrapuan për në vendin e ngjarjes

për t’u kujdesur për të plagosurit dhe shpëtuar jetë njerëzish. Ne do të vazhdojmë të japim çdo ndihmë të nevojshme në hetimin e këtyre akteve të shëmtuara të terrorizmit dhe për t’i nxjerrë personat përgjegjës para drejtësisë,” tha zoti Kerry.

Ai hodhi poshtë kritikat se Belgjika dështoi të kapte militantët e Shtetit Islamik. Zoti Kerry tha se qeveria belge ka vepruar me forcë për të luftuar terrorizmin përpara shpërthimeve të së martës.

"Kjo qeveri ka një vit që është formuar dhe ka lëvizur shumë fort për t'u përballur me terrorizmin,” u tha zoti Kerry gazetarëve.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar "çdo gjë që i nevojitet qeverisë belge për të hetuar shpërthimet. Ne do të punojmë në mënyrë konkrete me ta për të ndihmuar në koordinimin e shkëmbimit të informacionit," tha ai.

Z. Kerry gjithashtu bëri komente të shkurtra në gjuhët frenge dhe flamande, duke shprehur solidaritet.

Dje në Paris, autoritetet arrestuan një shtetas francez që dyshohet se i përket një rrjeti militant, i cili po planifikonte një sulm në Francë.

Ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve, tha në një fjalim televiziv se arrestimi ndihmoi "në zbulimin e një komploti që ishte në një fazë të përparuar".

Autoritetet thanë megjithatë se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt komplotin në fjalë me sulmet e Brukselit dhe Parisit.

XS
SM
MD
LG