Lidhje

Obama përfundon turneun në Amerikën Latine


President Barack Obama exits Air Force One with his family, March 25, 2016, at Andrews Air Force Base, Md.
President Barack Obama exits Air Force One with his family, March 25, 2016, at Andrews Air Force Base, Md.

Presidenti amerikan Barack Obama po kthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas një udhëtimi në Amerikën Latine që përfshiu një ndalesë në Argjentinë dhe një vizitë historike në Kubë, ku u takua me presidentin Raul Castro.

Presidenti Obama, gruaja e tij, dy vajzat dhe vjehrra u nisën me avionin Air Force One nga Aeroporti Ndërkombëtar Ezeiza në Buonos Aires sot në mëngjes.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara folën tepër vonë për mizoritë e kryera gjatë ish diktaturës në Argjentinë, por shtoi se administrata e tij do të "përballet me ndershmëri dhe transparencë me të kaluarën."

"Ajo që ndodhi këtu në Argjentinë nuk është e veçantë për Argjentinën dhe nuk është e kufizuar me të kaluarën", tha Obama në Buenos Aires. "Secili prej nesh ka përgjegjësi që kudo që shohim padrejtësi, kudo që shohim shkelje të sundimit të ligjit, të jemi dëshmitarë të ndershëm, të ngremë zërin, të dëgjojmë zemrat tona dhe të marrim përgjegjësinë për ta bërë këtë një vend më të mirë për fëmijët dhe nipërit tanë."

Zoti Obama vizitoi të enjten një park përkujtimor për viktimat e të ashtuquajturës "Lufta e Padrejtë" në 40 vjetorin e grushtit të shtetit që solli një regjim të egër ushtarak.

Presidenti tha se një shoqërie i duhet kurajo për t’u përballur me të vërtetat e pakëndshme dhe "pjesët e errëta të së kaluarës së saj."

"Përballja me krimet e kryera nga vetë udhëheqësit tanë, nga njerëzit tanë, mund të jetë përçarëse dhe nervozuese. Por kjo është thelbësore për të ecur përpara, për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatë në një vend që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve", tha zoti Obama .

Dokumentet amerikane kanë treguar se Shtetet e Bashkuara mbështetën regjimin që aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ishte përgjegjës për vdekjen ose zhdukjen e rreth 30.000 njerëzve në mes të viteve 1976 dhe 1983.

Zoti Obama ka thënë se administrata e tij do të përpiqet të publikojë më shumë dokumente për të saktësuar rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur për diktaturën.

Kritikët e vizitës së presidentit, duke përfshirë shumë nga ata që humbën miqtë apo të afërmit gjatë viteve nën qeverisjen ushtarake, thonë se presidenti Obama nuk duhet të shkonte në Argjentinë në një përvjetor

kaq të rëndësishëm. Protesta të lidhura me këtë përvjetor priten në Buenos Aires dhe në mbarë vendin.

Obama u ftua nga presidenti i ri i Argjentinës, Mauricio Macri, i cili është përqendruar në forcimin e marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve.

Presidenti Obama dhe zonja e parë Michelle Obama ishin të ftuar nderi në një darkë shtetërore të mërkurën, ndërsa të enjten morën pjesë në një ceremoni për të kujtuar viktimat e regjimit në Parkun Përkujtimor në Buenos Aires.

Provat e mbështetjes amerikane për diktaturat në Amerikën e Jugut kanë qenë publikisht të njohura për më shumë se një dekadë; por, Shtetet e Bashkuara njoftuan javën e kaluar, me nxitjen e qeverisë argjentinase, se do të bëjnë publike dokumente ushtarake dhe të zbulimit që lidhen me Luftën e Padrejtë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Ben Rhodes tha javën e kaluar se presidenti beson se "ecja përpara në kontinentin Amerikan apo në pjesë të tjera të botës përfshin një pranim të qartë të së kaluarës."

Udhëtimi i presidentit në Argjentinë pason një vizitë të pazakontë në Kubë, e para e një presidenti amerikan në detyrë në gati nëntë dekada. Gjatë takimit me presidentin Raul Castro, presidenti Obama i bëri thirrje Kongresit amerikan të heqë embargon tregtare ndaj Kubës.

XS
SM
MD
LG