Lidhje

Rreziku nga materialet bërthamore


Kryetarë shtetesh nga më shumë se 50 vende do të mblidhen në Uashington javën që vjen për të marrë pjesë në Samitin e Sigurisë Bërthamore 2016. Ndërsa udhëheqësit diskutojnë mënyrat për të forcuar sigurinë e materialeve bërthamore, ekziston një shqetësim i madh se ato mund të bien në duar të gabuara.

Sulmet terroriste në Evropë nga Shteti Islamik kanë rritur shqetësimet se ky grup terrorist mund të depërtojë në sistemin e sofistikuar perëndimor të sigurisë. Ndërsa dëmi i shkaktuar në sulmet e Parisit dhe Brukselit ka qënë i madh, humbjet do të ishin të paimagjinueshme nëse materialet bërthamore bien në dorën e terroristëve. Michaela Dodge punon për Fondacionin Heritage:

“Problemi me materialet bërthamore është se ato mund të përdoren për të ndërtuar armë bërthamore të paligjshme, ose bomba të pista, siç quhen. Kjo do të shkaktonte probeleme të shumta nëse ato bien në duart e keqbërësve. Është një kërcënim shumë serioz.”

Në fillim të muajit, zyrtarët irakianë akuzuan Shtetin Islamik se kishin hedhur raketa me përmbajtje kimike pranë qytetit Kirkuk, duke plagosur rreth 600 njerëz. Michelle Cann e Partneritetit për Sigurinë Globale flet për rrezikun e materialeve bërthamore.

“Egziston mundësia që ata të shtien në dorë materiale bërthamore ose radioaktive dhe të ndërtojnë një armë. Atyre nuk u duhet një armë e vërtetë për të shkaktuar probeleme të mëdha në mbarë botën, sepse një armë e improvizuar do të shkaktonte dëme të mëdha fizike.”

Zonja Dodge thekson nevojën e kontrolleve të rrepta për të parandaluar një gjë të tillë.

“Shtetet e dinë vlerën e këtyre materialeve dhe përpiqen t’i mbajnë ato nën kontroll. Kjo ka ardhur pjesërisht nga marrëveshjet për mospërhapjen të arritura gjatë dekadave të fundit dhe nga vënia e theksit tek rrezikshmëria që paraqesin këto materiale.”

Zonja Cann thotë se përpjekjet ndërkombëtare e kanë reduktuar mjaft nivelin e kërcënimit.

“Kemi siguruar më shumë se 1,500 kilogram uranium të pasuruar dhe plutonium. 12 vende tashmë nuk kanë uranium të pasuruar që nga viti 2010. Kemi disa qendra në vende të ndryshme që punojnë për edukimin dhe trajnimin.”

Megjithatë, egziston një konsensus se përpjekjet duhet të vazhdojnë, sepse nëse bie në duar të gabuara, edhe një sasi mjaft e vogël materialesh bërthamore apo radioaktive mund të ketë pasoja shkatërruese.

XS
SM
MD
LG