Lidhje

Pakistani në zi pas vrasjes së 70 vetave në një shpërthim në Lahore


Pakistani po mban zi për vdekjen e të paktën 70 vetave në sulmin vetëvrasës të talibanëve në qytetin lindor Lahore. Mjekët thanë se rreth 30 fëmije janë në mesin e të vdekurve.

Shpërthimi ndodhi në një park të mbushur me njerëz, duke plagosur edhe mbi 300 të tjerë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin pjesëtarë të komunitetit të krishterë që po kremtonin pashkët.

Një zëdhënës i ushtrisë tha të hënën se agjencitë e sigurimit kryen disa operacione në bazë të hetimeve fillestare dhe arrestuan "një numër të terroristëve dhe mbështetësve të dyshuar" në kryeqytetin e krahinës dhe dy qytete të tjera, Multan dhe Faisalabad, në Punjab, krahina më e populluar e vendit. Ai nuk dha më shumë hollësi.

Zëdhënësi i një fraksioni të talibanëve në Pakistan, mori përsipër përgjegjësinë duke theksuar se sulmi vdekjeprurës synonte të krishterët.

Kryeministri Nawaz Sharif, shkoi të hënën në Lahore, ku u takua me zyrtarët më të lartë civil dhe të sigurisë. Duke e dënuar sulmin terrorist nga civilëve të pafajshëm, Nawaz Sharif tha se ai nuk do të lëkundë përpjekjet për të çrrënjosur ekstremizmin dhe terrorizimin në Pakistan.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Ned Price, Shtetet e Bashkuara dënuan "me fjalët më të fuqishme" sulmin në Lahore, duke e cilësuar atë si "akt qyqar në një park të bukur e të qetë".

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në një deklaratë dënoi fuqimisht sulmin duke bërë thirrje për "autorët e këtij akti të tmerrshëm terrorist të sillen shpejt para drejtësisë, në përputhje me detyrimet ndaj të drejtave të njeriut."

XS
SM
MD
LG