Lidhje

Kushte të mjerueshme në Idomeni


Në Greqi, më shumë se 11,000 refugjatë dhe emigrantë kaluan një tjetër natë të ftohtë në kushte të mjerueshme në kampin e improvizuar Idomeni, me frikën se në qoftë se transferohen në kampe të rregullta, ata do t’i detyrojnë të kthehen në Turqi.

Disa emigrantë thonë se kanë shpenzuar shumë për të arritur në Greqi dhe kanë frikë se do t’i detyrojnë të kthehen.

Ata duan të qëndrojnë në Idomeni me shpresën se do të lejohen të kalojnë kufirin për në Maqedoni dhe të vazhdojnë udhëtimin e tyre.

Shtetet e Bashkuara po venë në dispozicion 20 milion dollarë shtesë për të ndihmuar përpjekjet ndërkombëtare që lidhen me krizën e emigrantëve në Evropë.

Departamenti i Shtetit publikoi të hënën një deklaratë, ku thuhet se me këto fonde do të mbështeten OKB-ja dhe Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq / Gjysmëhënës së Kuqe për të siguruar mbrojtje, strehim dhe lloje të tjera ndihme në të gjithë Evropën.

Këto fonde e çojnë në pothuajse 44 milionë dollarë kontributin e SHBA për ndihmën humanitare nëë përgjigje të krizës së emigracionit. Rreth 17.5 milion dollarë do të përdoren për të ndihmuar në zbatimin e planeve të UNHCR për Evropën.

Rreth 2,5 milion do të përdoret për nevojat emergjente të Greqisë në sistemimin e emigrantëve si dhe për parandalimin e dhunës në mbarë Ballkanin.

Kufiri i Greqisë me Maqedoninë vazhdon të jetë i mbyllur për emigrantët dhe refugjatët qysh nga fillimi i këtij muaji, pasi një numër vendesh mbyllën atë që njihet tani si rruga perëndimore e Ballkanit, e cila përdoret për të udhëtuar nga Greqia për në Evropën qendrore dhe veriore.

XS
SM
MD
LG