Lidhje

Obama: Përparim i konsiderueshëm drejt sigurisë bërthamore


Presidenti amerikan Barack Obama përshëndeti “përparimin e konsiderueshëm” që vendet e botës kanë bërë për sigurinë bërthamore dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në përpjekjet për të pakësuar arsenalet bërthamore dhe për t’i mbajtur ato të sigurta.

Duke folur para 50 udhëheqësve botërorë të mbledhur në Takimin e Nivelit të Lartë për Sigurinë Bërthamore në Uashington, zoti Obama tha se mbi 12 vende kanë eliminuar të gjitha sasitë uraniumit të pasuruar dhe plutoniumit, elementët radioaktivë të nevojshëm për të ndërtuar bomba bërthamore.

Gjatë gjashtë vjetëve takimesh ndërkombëtare për sigurinë bërthamore , përfshirë katër takime të nivelit të lartë, që ai vetë i ka iniciuar, Presidenti Obama tha se “kemi përqafuar një mënyrë të re të menduari dhe një mënyrë të re të vepruari”.

Presidenti Obama u takua gjithashtu edhe me një grup më të vogël vendesh që ishin të angazhuara me bisedimet bërthamore të vitit të kaluar me Iranin. Ai i tha grupit të ashtuquajtur P5+1 se marrëveshja me Iranin, “arriti një sukses të jashtëzakonshëm dhe u përqendrua tek rreziqet e përhapjes bërthamore në një mënyrë reale”.

Gjithsesi ai theksoi se “ zbatimi i plotë dhe i vazhdueshëm” i marrëveshjes së Iranit do “të kërkojë të njëjtin nivel bashkëpunimi” nga komuniteti ndërkombëtar”.

Takimi i Sigurisë Bërthamore këtë vit vjen në një kohë shqetësimi në rritje se militantët e Shtetit Islamik mund të grumbullojnë materiale bërthamore që të ndërtojnë “bomba artizanale” që mund të çlirojnë mbeturina vdekjeprurëse radioaktive në hapësira të gjera.

Edhe rreziku që vjen nga mundësia e prodhimit dhe përdorimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut ishte në qendër të vëmendjes. Provokimi i fundit i Phenianit ishte të premten, kur sipas shtypit koreanojugor, Koreja e Veriut mendohet të ketë lëshuar një raketë balistike në Detin e Japonisë. Presidenti Obama u takua dje me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë për të diskutuar rreth një përpjekjeje të përbashkët për kthimin e Gadishullit Korean në një zonë pa armë bërthamore. Një çështje tjetër e rëndësishme e takimit është sigurimi i materialeve bërthamore që ato të mos bien në duart e terroristëve.

XS
SM
MD
LG