Lidhje

TIA heq dorë nga eskluziviteti


Shqipëri, tani fluturime ndërkombëtare dhe nga aeroportë të tjerë. Arrihet marrëveshja me shoqërinë që drejton aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza.  Së shpejti në funksionim aeroporti në Kukës.

Qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Tirana International Airport (TIA), shoqërinë e cila ka në koncesion drejtimin e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza lidhur me eskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare. TIA, ka pranuar të heqë dorë nga ky eskluzivitet që i ishte njohur që prej vitit 2005, gjë e cila mundëson tani, shfrytëzimin nga ana e autoriteteve shqiptare dhe të aeroporteve të tjerë në vend. Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto tha gjatë ceremonisë së marëveshje, se menjëherë pas përfundimit të të gjithë procedurave me ratifikimin në parlament, do të vihet në punë aeroporti i Kukësit, i ndërtuar që në fund të viteve ’90. Si shkëmbim, TIA-s i shtohen edhe dy vjet mbi kohëzgjatjen e kontratës së koncesionit, e cila do të duhet të përfundojë kështu në vitin 2027.

Marrëveshja parashikon që në rast të shfrytëzimit dhe të dy aeroporteve të tjera në jug të vendit në Gjirokastër dhe Sarandë, për të cilët do të duhen investime për t’i bërë funksionalë, atëherë kontrata me TIA-n shtyhet edhe 6 muaj për cdo vit të operimit të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.

Autoritetet shqiptare shpresojnë që pas kësaj marrëveshjeje, të mund të tërheqin në vend kompanitë e fluturimeve “low cost”, të cilat deri më tani kanë qëndruar larg tregut shqiptar, për shkak të tarifave të larta të aeroportit “Nënë Tereza”.

Shoqëria Tirana International Airport (TIA) drejtohet nga konsorciumi i përbërë nga grupi gjerman AviAlliance GmbH, i cili është dhe investitori strategjik, nga kompania tjetër gjermane DEG Deutsche Investitions- und Entwicklungsgesellschaft mbH dhe nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrejeve. Që nga moment i marrjes së drejtimit të aeroportit, TIA, ka rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve, i cili në 2015 ishte mbi 1.9 milionë pasagjerë, ga afro 600 mijë në 2005.

XS
SM
MD
LG