Lidhje

Shqetësimet e votuesve myslimanë në SHBA


 Muslim Americans.
Muslim Americans.

Islamofobia në rritje në SHBA, e ushqyer edhe prej komenteve të fushatës për zgjedhjet presidenciale, i ka vendosur myslimanët amerikanë në qendër të vëmendjes. Në Illinois, ku ndodhet një ndër grupimet më të mëdha myslimane të SHBA-së, disa po mbajnë një qëndrim të fortë për t’i vënë gjërat në vend.

Saif Mazhar punon dhe falet në Qendrën e Komunitetit Mysliman në Çikagon verilindore, një ndër xhamitë më të vjetra në shtetin Illinois.
Ai nuk ka ardhur si emigrant; ai ka lindur dhe është rritur aty, por nuk ndjehet gjithnjë i pranuar.

“Nëse shkoj në ndonjë dyqan, apo restorant, ndonjëherë përpiqem të mos bie në sy, që njerëzit mos të më shikojnë si ndonjë terrorist.”

Imami Kamil Mufti e di këtë gjë. Anëtarët e Fondacionit Islamik në Peoria përballen me këtë gjë, madje edhe fëmijët në shkollë.

“Pastaj bëhen edhe ato komentet si ‘të gjithë myslimanët janë terroristë’, apo se myslimanët festojnë 11 shtatorin, apo se myslimanët do hedhin diçka në erë.”

Anëtari i këshillit bashkiak të Çikagos, John Arena, thotë se edhe jo-myslimanët e vërejnë këtë gjë.
“Kemi hapur një dialog kombëtar për fenë dhe racën, me gjuhën më përçarëse që unë kam parë ndonjëherë në politikë.”

Ky sezon zgjedhor është mbushur me komente të debatueshme, më tepër prej kandidatit kryesor republikan Donald Trump, i cili bëri thirrje për ndalimin e ardhjes së myslimanëve në Amerikë, apo se edhe do të merrte ndoshta në konsideratë mbylljen e disa xhamive.

“Ai tha se nëse xhamitë janë të hapura dhe nëse myslimanët nuk kanë asgjë për të fshehur, atëherë përse nuk i hapin dyert. Kjo që ka thënë ai thjesht nuk është e vërtetë. Është kundër fakteve. Dhe kjo është mënyra e vetme si unë mundem t’i përgjigjem.”

Në vend që t’i fshihej urrejtjes, ai hapi dyert e fondacionit në Peoria për një aktivitet ndërfetar të quajtur “Njihu me Islamin dhe Paqen”.
Tërhoqi aq shumë njerëz, shumica jo-myslimanë, saqë aktiviteti u xhirua dhe transmetua drejtpërsëdrejti për njerëzit që nuk i nxinte godina.
“Xhamitë nuk janë vende jomikpritëse; nuk janë vende të mbyllura. Janë vende shumë të hapura dhe ajo çfarë bëjnë myslimanët në xhami është falja, shoqërimi dhe argëtimi.”

Saif Mazhar thotë se qendra komunitare në Çikago është një xhami e hapur. Ai shpreson se ata që e vizitojnë largohen me shumë më tepër se thjesht një botëkuptim të fesë së tij.

“Ne jemi të gjithë amerikanë dhe e duam Amerikën. Ne jemi pjesë e Amerikës.”

Myslimanët janë një pjesë në rritje e popullsisë. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, përqindja e myslimanëve do të arrijë përqindjen e të krishterëve deri në vitin 2050.

XS
SM
MD
LG