Lidhje

Votuesit ruralë të Nju Jorkut


Dy orë larg dritave me shkëlqim të Broadway dhe bankierëve të Wall Street-it, ndodhet një Nju Jork krejtësisht tjetër, me livadhe të gjelbërta, qiej të hapur, dhe madje edhe bagëti. Votuesit e këtyre qyteteve të vogla mund të kenë ndikim në këtë sezon elektoral dhe shumë prej tyre janë ende të pavendosur se si do të votojnë në zgjedhjet paraprake.

Në shtetin e Nju Jorkut nuk ka vetëm turma njerëzish, por edhe tufa bagëtish.

Shumë pranë qytetit të Nju Jorkut, përgjatë lumit Hudson banojnë votues të shumtë ruralë që do të marrin pjesë në votime. Kandidatët nuk i kushtojnë shumë kohë fushatës në këtë zonë, megjithëse kjo shtresë përfaqëson shtyllën kurrizore të klasës së mesme amerikane. Dikush mbështet Bernie Sanders, ndërsa dikush tjetër nuk përjashton kandidaturën e Donald Trump.

Shumë votues në këto zona janë ende të pavendosur. Në këto qytete të vogla, si Altamont dhe Ghent, ekonomia është tema kryesore si kudo tjetër.

“Bujqësia është ajo që goditet më rëndë.”

Phil Trowbridge është kultivues farash. Ai i përshkruan pikëpamjet e tij si të qendrës së spektrit politik. Por, kandidatë si Bernie Sanders dhe të tjerë e kanë lënë të zhgënjyer. Ai nuk është i bindur se propozime si krijimi i universiteteve pa pagesë janë plane të qëndrueshme.

“Nuk e di se ku do t’i gjejë fondet për këtë propozim të tij.”

Numri i punëtorëve në bujqësi ka rënë gjatë viteve, duke humbur kështu edhe influencën në politikë.

Por, natyra e kujdesshme e këtij biznesi do të thotë që fermerët duhet të jenë politikisht të mirëinformuar.

Për fermerët e Nju Jorkut, politikat për fermat, siguracioni për bimët, apo paga minimale janë shqetësime të rëndësishme, por që nuk përmenden shpesh gjatë fushatës elektorale.

“Javës që kaloi humbëm gati gjysmën e frutave.”

Peter Ten Eyck, pronar i një ferme frutash prej 120 hektarësh në Altamont, thotë se zgjedhjet duhet të jenë për një qeveri të vogël. Atij i pëlqen fushata që ka bërë Hillary Clinton, por mendon se Shtëpia e Bardhë ka patur tashmë shumë Bushë dhe Clintonë. Ai mendon se John Kasich mund të jetë një alternativë e mirë.

“Ka bërë punë të mirë në Ohio, ka hequr një defiçit të madh dhe ka balancuar buxhetin.”

Fermerët thonë se mënyra e tyre e jetesës reflekton parafytyrimin e tyre për politikën dhe një president që t’i trajtojë shtetasit me dinjitet.

“Si mund të krenohesh me një kandidat për president që thotë për një kandidate femër se nuk mund të votohet për një fytyrë të tillë?”

Fermerët e quajnë përgjegjësi personale që të marrin pjesë në votim.

“Nëse nuk përpiqemi që të paktën të votojmë personin më të mirë, atëherë nuk përmbyshim detyrimin tonë si nënshtetas.”

XS
SM
MD
LG