Lidhje

Shqipëri, nis faza e re e ndërtimit të TAP-it


Konsorciumi që drejton projektin e gazsjellësit organoi sot një ceremoni, për fillimin e shtrirjes së tubacionit. 13 mijë tuba çeliku do të shtrohen në 215 kilometra gjatësi të gjurmës së gazsjellësit në territorin shqiptar

Ndërtimi në territorin e Shqipërisë së gazjellësit Trans Adriatic Pipeline, TAP, ka hyrë në një fazë të re, atë të shtrimit të tubacioneve, e cila pritet të nisë në muajt korrik-gusht. Për këtë, TAP, organizoi një ceremoni të posaçme, kur që prej dy javësh ka nisur sjellja e 13 mijë tubave të çelikut, 90 përqind e të cilave janë 18 metra të gjatë, me një diametër prej 1,22 metra dhe afër 17 mijë kilogram. Shpërndarja e tyre do të bëhet me mjete të posaçme, sikundër dhe për shtrirjen e tyre në 215 kilometrat në territorin shqiptar do të mbërrijnë makineri dhe pajise të një teknologjie të lartë.

TAP-i, i nisi punimet verën e shkuar me ndërtimin e rrugëve që lidhin kantieret e projektit, duke investuar deri tani mbi 60 milion euro e duke kontribuar me punësimin e afër 1000 personave, një numër që sipas drejtorit të TAP Albania, Shkëlqim Bozgo do të arrijë në dy mijë, në fazat e ardhshme. Të shumta janë dhe përfitimet indirekt, për shkak të një numri biznesesh që ofrojnë shërbime të ndryshme mbështetëse për projektin.

Për vitin e ardhshëm, investimet e parashikuara për TAP-in kondiderohen si një ndër faktorët që do të mbështesin dhe rritjen ekonomike të vendit, ndërkohë që në afatgjatë Shqipëria pritet të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike. Një ndër projektet rajonale është ai i një degëzimi të TAP-it drejt Malit të i dhe Kroacisë. Ky projekt do të paraqitet për financim në takimin e tretë të udhëheqësve të Ballkanit, në Paris, në kuadër të nismës së Berlinit. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha sot se do të kërkohet dhe një degëzim drejt Kosovës.

Nga ana e saj Shqipëria po punon për masterplanin e gazit në mënyrë që të ndërtojë rrjetin e saj të brendshëm për të rritur përfitimet nga TAP, ndërkohë që në punë pritet të vihet dhe termocentrali i Vlorës, i ndërtuar që prej shumë vitesh me një financim prej më shumë se 100 milion euro, por i pashfrytëzuar, jo vetëm për shkak të problemeve teknike, por edhe për shkak të kostos së lartë të prodhimit me naftë. Ndërkohë që prodhimi me bazë gazin do ta bënte atë të leverdisshëm dhe një burim shtesë të energjisë elektrike në vend.

XS
SM
MD
LG