Lidhje

Vazhdon emigrimi drejt Greqisë


Shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë në Greqi në mënyrë të paligjshme megjithëse vitet e fundit vendi fqinj po përjeton një krizë të rëndë ekonomike që po shoqërohet me humbje të vendeve të punës dhe vështirësi financiare për shumë familje emigrantësh shqiptarë.

Të dhënat e policisë greke të sapopublikuara dhe që i referohen periudhës për dy muajt e parë të vitit 2016 flasin se janë bllokuar në kufirin greko- shqiptar 851 emigrantë të paligjshëm.

Por numri i shqiptarëve të riatdhesuar nga Greqia për të njëjtën periudhë ka qenë më i lartë , 982 persona, pasi një pjesë e tyre janë bllokuar në rajone të tjera të Greqisë.

Gjithashtu, sipas të dhënave të policisë greke, numri i shqiptarëve të bllokuar pa dokumente në të gjithë zonat e Greqisë për periudhën dymujore ka qenë 1.732 persona, por një pjesë e tyre janë në praktika ligjore për të mos u riatdhesuar.

Emigrantët shqiptarë janë trajtuar nga Programet e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim dhe nuk ka pasur njoftime për keqtrajtime. Në vitin 2015 përmes Programit të Riatdhesimit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim,forcat e policisë greke kthyen në vendet e tyre rreth 20.500 emigrantë të kombësive të ndryshme nga të cilat 13.700 emigrantë shqiptarë.

Emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve në Greqi pësoi rënie pas liberalizimit të vizave të Shqiëprisë me vendet e Bashkimit Europian por rinjohu rritje dy vitet e fundit për shkak të thellimit të papunësisë në Shqipëri.

Reduktimi i aktivitetit sidomos në sektorin e ndërtimit në disa qytete turistike në Shqipëri dhe prapambetja e sektorit bujqësor sidomos në rajonet ndërkufitare detyron qindra të rinj të drejtohen në tregun grek për punësim sezonal.

Megjithëse të dy vendet kanë një marrëveshje për punësimin sezonal të firmosur 20 vite më parë, ajo nuk është vënë në zbatim dhe shumica e shqiptarëve e kalojnë kufirin pa dokumente të rregullta qëndrimi në Greqi me shpresën për të punuar disa muaj apo më shumë.

XS
SM
MD
LG