Një zyrtare e lartë ukrainase tha se zgjedhjet në Ukrainën lindore janë të mundshme vetëm pasi të ripërtërihet sovraniteti i Ukrainës në rajon dhe të eleminohet prezenca ruse në këto territore.
Zëvendës kryetarja e parlamentit të Ukrainës, Oksana Syroyid, tha për Zërin e Amerikës të premten se nga perspektiva ukrainase, çdo lloj zgjedhjesh nën kushtet aktuale do të legjitimonin ata që kanë pushtuar territorin e Ukrainës. Do të nënkuptonte dhënien e legjitimitetit atyre dhe sjelljen e tyre në politikën e Ukrainës, tha ajo, çfarë do të çonte në shkatërrimin e shtetit dhe sovranitetit të Ukrainës.
Zonja Syroyid tha se largimi i zaptuesve rusë duhet të përfshijë eleminimin e ndikimit të propagandës ruse, pajtimin e të gjithë njerëzve në rajon Donbas të Ukrainës dhe tërheqjen e të gjithë agjentëve rusë nga ajo zonë.
Vetëm pasi të përmbushen këto kushte, tha ajo, mund të shqyrtohet mbajtja e zgjedhjeve në territoret e pushtuara, dhe ato duhet të reflektojnë legjitimitetin e njerëzve që jetojnë aty, prëfshi ata që tani gëzojnë statusin e njerëzve të shpërngulur brenda vendit.
Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për dhënie ndihme ushtarake seperatistëve në rajonin Donbas, diçka që Rusia vazhdimisht e ka hedhur poshtë, duke thënë se ata që luftojnë përkrah seperatistëve janë vullnetarë rusë.
Ndërkohë, partnerët evropianë të Ukrainës, Gjermania dhe Franca, e shohin zhvillimin e zgjedhjeve atje si një rrugë për dhënien fund të konfliktit dy vjeçar në Ukrainën lindore nga i cili kanë humbur jetën mbi 9 mijë njerëz.