Lidhje

Kryebashkiaku i Londrës mund të jetë mysliman


Londra mund të ketë një kryetar bashkie mysliman. Duket se 45-vjeçari Sadiq Khan, ish-ministër në kabinet dhe bir i imigrantëve nga Pakistani, mund të sigurojë fitore në një garë që popullata myslimane e Britanisë e sheh si një pikë kthese.

Por edhe nëse nuk fiton, fakti që zoti Khan po zhvillon një garë të fortë me shanse reale shihet si sinjal i rritjes së prezencës politike të myslimanëve në Britani.

Disa myslimanë të intervistuar nga Zëri i Amerikës shprehen se shpresojnë në zgjedhjen e zotit Khan, në mënyrë që ai të japë leje për ndërtimin e xhamive të reja në Londër, si dhe qendrave që i shërbejnë komunitetit mysliman.

Zoti Khan, i cili përfaqëson Partinë Laburiste, është djali i një shoferi autobusi dhe një rrobaqepseje. Në një garë me 12 kandidatë, ai është në konkurrim të fortë me pretendentin kryesor konservator Zac Goldsmith, një hebre britanik, biri i një manjati miliarder.

Gjatë fushatës, zoti Khan u akuzua se mbështeste idetë e Suleiman Ghanit, një imam që udhëheqës britanikë, përfshirë kryeministrin David Cameron, e kanë përshkruar si ekstremist islamik. Sadiq Khan iu përgjigj akuzave duke nënvizuar punën e tij në luftë kundër ekstremizmit, përfshirë edhe rolin që luajti për ta dëbuar Suleiman Ghanin nga një xhami e Londrës për shkak të pikëpamjeve ekstremiste që kishte shprehur.

Posti i kryetarit të bashkisë së Londrës është shumë i rëndësishëm në pejsazhin politik të vendit, duke pasur parasysh sa e madhe dhe e rëndësishme është Londra për Britaninë.

Një ndër tetë banorë në Londër janë myslimanë dhe përfaqësimi i myslimanëve britanikë në politikë është rritur gjatë viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG