Lidhje

Shkarkohet Drejtori Balili i dyshuar për trafik droge


Klement Balili u shkarkua sot nga detyra, pas dyshimeve të autoriteteve greke se është kreu i një organizate të trafikut të drogës. Policia shqiptare nuk jep detaje: Hetimi vazhdon ende. Mediat greke: Balili ka mbështetje politike në Shqipëri.

Drejtori aktual i Transporteve në Sarandë, Klement Balili, dyshohet të jetë sipas policisë greke, dokumenta të të cilave janë publikuar nga mediat shqiptare, koka e një organizate kriminale me veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Autoritetet greke, sipas BIRN, e kanë shpallur në kërkim Balilin, pasi emri i tij doli gjatë një hetimi i cili u finalizua pak ditë më parë me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Në këtë operacion është përfshirë dhe policia shqiptare si dhe autoritetet e disa vendeve të Bashkimit europian, ku dyshohet të ketë shtrirë rrjetin e trafikut organizata, një krerëve të së cilës dyshohet të jetë Klement Balili.

Shkarkohet Drejtori Transporteve në Sarandë, Klement Balili
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:36 0:00

Mediat greke kanë shkruar se Balili ka lidhje të forta politike në Shqipëri. Ai është emëruar në krye të sektorit të Transportit në Sarandë në vitin 2014, për të cilin që në atë kohë opozita denoncoi faktin se kishte qenë më parë i arrestuar. Njëri nga vëllezërit e Balilit u zgjodh kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, në zgjedhjet e fundit vendore, nën siglën e LSI-së. Vëllezërit Balili kanë aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa vjet inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e vjetshme, në gusht, morën pjesë dhe zyrtarë të lartë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj si dhe deputeti socialist i zonës Koço Kokëdhima.

Mediat greke kanë aluduar se policia shqiptare ka refuzuar arrestimin e Balilit, të cilin ato e kanë cilësuar si Eskobarin e Ballkanit, për shkak të mbrojtjes politike të tij. Vetë Balili, foli dje për shpifje ndërsa tha se kishte vite që nuk kishte qenë në Greqi. Opozita akuzoi ministrinë e Brendshme dhe policinë se i kanë dhënë mbrojtje Balilit. “Prej më shumë se 24 orësh i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Klement Balilaj për narkotrafik nuk arrestohet por i bën karshillëk ligjit nga zyrat shtetërore të drejtorisë së Transporteve në Sarandë”, deklaroi opozita, duke i mëshuar faktit se dicka e tillë nuk do të mund të ndodhte “nëse Klement Balili nuk do të kishte mbrojtjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe shefit të tij Edi Rama”. Policia nga ana e saj në një reagim, ndërsa konfirmon përfshirjen në operacionin antidrogë të drejtuar nga autoritetet greke deklaruan se “për shkak se operacioni është ende në zhvillim, nuk mund të bëhen publike detaje që cënojnë këtë hetim”.

Edhe sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako evitoi të jepte detaje, duke thënë se hetimi ndaj kësaj organizate është kompleks dhe në vijim: “Eshtë një nga operacionet më të suksesshme të organizuar në bashkëpunim mes strukturave policore në luftë kundër krimit të organizuar në veçanti. Eshtë një operacion i cili mbart shumë më shumë se sa thuhet, së paku në aspektin investigativ, procedurial e policor. Ditët e fundit është bërë shumë zhurmë rreth këtij operacioni. Subjekte të caktuara të cilat nuk jam i predispozuar ti interpretoj për shkak të hetimit dhe karakterit specifik që ka cështja janë nën hetim, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Janë personazhe të njohura të botës së krimit”.

Balili u shkarkua sot nga detyra e Drejtorit rajonal të Transportit. Njoftimin në fakt e dha ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i cili shpjegoi se autoritetet shqiptare kanë kërkuar prova dhe informacione për këtë cështje përmes disa letër-porosive. “Personi që ju përflisni, është shkarkuar sot. Jo se ka ndonjë arsye ligjore, por është shkarkuar për t’i dhënë hapësirën e nevojshme të gjithë organeve të hetimit, të cilat janë totalisht të lira ta marrin e ta hetojnë si qytetar i lirë”, tha Manjani në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG