Lidhje

Aktiviteti ushtarak rus pas aneksimit të Krimesë


Rusia ka rritur aktivitetin e saj ushtarak që nga aneksimi i rajonit ukrainas të Krimesë në vitin 2014. NATO-ja po planifikon një shtim të pranisë ushtarake në Evropën Lindore, më i madhi që nga Lufta e Ftohtë, në përpjekje për të penguar agresionin e mëtejshëm rus. Sipas Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ash Carter, hapat e NATO-s në prag të takimit të saj të nivelit të lartë të Varshavës në muajin korrik, përfshijnë vendosjen e katër batalioneve në shtetet baltike dhe në Poloni.

Më pak se dy muaj përpara takimit të rëndësishëm të NATO-s në Varshavë, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Alexander Vershbow, tha se Rusia po bëhet gjithnjë e më shumë “një fuqi revanshiste" që përpiqet të ndryshojë strukturën e krijuar pas Luftës së Ftohtë ". Ai i bëri komentet në një konferencë për sigurinë të zhvilluar të shtunën në Talin.

"Para së gjithash ne duhet t’u kujtojmë njerëzve se jemi ende një aleancë bërthamore, dhe do ta bëjmë këtë në Varshavë. Duhet t’u kujtojmë gjithashtu se ne kemi një mjet të frenimit bërthamor që mbështet lëvizjet konvencionale që po ndërmarrim. Rusët nuk duhet të kenë asnjë iluzion se, në qoftë se ata përdorin të parët armët bërthamore në këtë të ashtuquajtur skenar çtensionimi, kjo do të ndryshojë krejt natyrën e konfliktit. NATO-ja është një aleancë bërthamore dhe ka aftësinë për t'u kundërpërgjigjur," tha zoti Vershbow.

Në takimin e ardhshëm të NATO-s, shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania do të përsërisin kërkesën e tyre për një prani të përhershme të trupave aleate, në përmasat e një batalioni, në secilin nga këto vende.

Mark Galeotti, Profesor i Çështjeve Globale në Universitetin e Nju Jorkut, tha se vendet baltike duan të sigurohen:

"Mendoj se ato duan që, me një qëndrim të tillë të ashpër, ta bëjnë Moskën të mos ushqejë ndonjë iluzion se ia vlen të përpiqet të ndërhyjë në këto vende,” thotë profesor Galeotti.

Kremlini mohon se ka synime për të sulmuar vendet balltike, por ka thënë shpesh se këto vende janë bërë një bërthamë rusofobie, që e ka shtyrë NATO-n drejt një kursi anti-rus.

Në klimën e tensioneve të larta Rusi-Perëndim, Moska ka shprehur alarm rreth mburojës raketore që Shtetet e Bashkuara kanë aktivizuar në Evropë. Javën e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin e quajti këtë një hap drejt një garë të re armatimesh dhe premtoi se do të bënte ndryshime në shpenzimet buxhetore për të neutralizuar "kërcënimet e reja" ndaj Rusisë.

Shtetet e Bashkuara aktivizuan të enjten në Rumani një sistem për mbrojtjen kundër raketave, me vlerë 800 milion dollarë, duke thënë se fjala është për mbrojtjen nga raketat iraniane dhe nga të ashtuquajturët shtete të papërgjegjshme.

XS
SM
MD
LG