Lidhje

Drejtësi, PD variant me propozime për Reformën


Basha: Ky dokument do të përbëjë bazën e bisedimeve me shumicën për çështjet që kërkojne zgjidhje politike

Në Shqipëri kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha, tha sot se opozita ka përgatitur një sërë propozimesh lidhur me cështjet që kërkojnë një zgjidhje politike në kuadër të reformës në drejtësi.

"Për pjesën e sistemit ku “Venecia” ka thënë qartë që palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i ofruar shqiptarëve zgjidhje të standardit europian, Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar, që u është prezantuar parlamentarëve. Dhe javën e ardhshme pas një diskutimi në grupin parlamentar të rakorduar plotësisht, ky draft do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me Partinë Socialiste, me Lëvizjen Socialiste për Integrim në procesin e finalizimit të diskutimit të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi", deklaroi kryetari demokrat pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij.

Zoti Basha shpjegoi se opozita është në favor të pjesës që lidhet me antikorrupsionin, ngritjen e prokurorisë së posaçme, apo dhe njësisë së re hetimore si dhe me procesin e vlerësimit të gjyqtarëve, ndërkohë që shtoi se "arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’i shërbyer qytetarëve. Gjërat janë shumë të thjeshta dhe nuk duhet të fshihemi pas paragjykimeve. Partia Demokratike është futur me vullnet të pastër për t’i dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie që funksionon".

Kryetari i Komisionit të Reformës socialisti Fatmir Xhafaj u shpreh se nuk ishte ende në dijeni të propozimeve të opozitës, por nëse propozimet, shpjegoi ai, do të ishin në kundërshtim me tekstin e Komisionit të Venecias dhe projektin e rishikuar nga ekspertët amerikan të OPDAT-it dhe ata europian të EURALIUS-it, për të cilin është rënë dakort në parim, atëherë kjo sipas zotit Xhafaj do të ishte një përpjekje për të zvarritur procesin e reformës apo për ta devijuar atë.

XS
SM
MD
LG