Lidhje

Udhëheqësit botërorë, thirrje për fuqizimin e parimeve humanitare


Udhëheqës nga e gjithë bota u mblodhën në Stamboll të Turqisë sot, për një takim humanitar të nivelit të lartë me shpresat për të përcaktuar protokolle konkrete për të përballuar kriza të ardhshme refugjatësh.Takimi i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që vazhdon deri të mërkurën parashikohet të shërbejë si këmbanë alarmi për t’u marrë me katastrofat dhe zbutjen e ekspozimit të vendeve në zhvillim.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje për konsolidimin e konsensusit global për parimet humanitare.

“Është një katastrofë që jemi të detyruar të flasim për nevojën e zbatimit të ligjit ndërkombëtar. E megjithatë ne shohim në Siri, Jemen dhe vende të tjera, se spitalet sulmohet sistematikisht dhe mjekët humbin jetën. Kjo është një shkelje flagrante e parimeve humanitare”, tha zonja Merkel në takimin e Stambollit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moom u bëri thirrje të pranishmëve që të ndihmojnë njerëzit në nevojë për një shans për një të ardhme më të mire.

“Jemi këtu për të ndryshuar rrjedhën e së ardhmes. Sot ne deklarojmë se jemi një njerëzim me përgjegjësi të përbashkëta. Zonja dhe zotërinj, le të angazhohemi këtu sot, jo vetëm që të shpëtojmë jetë njerëzish por që ata të kenë një jetë me dinjitet”.

Mbi 125 krerë shtetesh dhe qeverish u mblodhën së bashku me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Turqi, që është goditur rëndë nga kriza e imigrantëve në Evropë.

Presidenti Recep Tayyp Erdogan u bëri thirrje vendeve që të punojnë së bashku për të zgjidhur problemin.

“Ne, si udhëheqës dhe njerëz të përgjegjshëm të komunitetit ndërkombëtar, do të kemi sukses nëse punojmë drejt parimeve dhe synimeve të përbashkëta”.

Turqia aktualisht strehon 2.7 milionë refugjatë të konfliktit të Sirisë.Takimi i Stambollit ka si objektiv zhvillimin e masave më efektive për atë që OKB-ja e ka quajtur gjendjen më të keqe humanitare globale që nga Lufta e Dytë Botërore, me rreth 130 milionë vetë që kanë nevojë për ndihmë.

Synimi është që konferenca të mobilizojë mbledhjen e fondeve dhe që udhëheqësit të bien dakord për çështje nga marrja e masave për civilët e shpërngulur, e deri tek rikonfirmimi i angazhimit për të respektuar ligjin ndërkombëtar.

Por skeptikët kanë shprehur shqetësimin se takimi nuk do të sjellë shumë rezultate konkrete.

XS
SM
MD
LG