Lidhje

Drejtësia, Basha: JO strukturës së propozuar


Reforma, kreu i PD kërkon bisedime për propozimet e opozitës lidhur me arkitekturën e sistemit dhe deklaron se nuk pranohen presione për kohën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese

Në Shqipëri kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha tha sot sërish se për Reformën në Drejtësi opozita kundërshton strukturën e projektit dhe se për këtë ka bërë propozimet e saj për të cilat pret që shumica të ulet për t’i negociuar

“Aspektin antikorrupsion, atë që iu nxin jetën qytetarëve, korrupsionin në nivele të larta qeveritare, korrupsioni në drejtësi, kemi që në mars që themi ejani të votojmë amendamentet, sigurisht bashkë me aktet ligjore dhe ti hapim rrugë. Nuk duan ti votojnë, duan ti votojnë të gjitha bashkë. Dakord! Por kurrsesi nuk mund të përdoret kjo për ti bërë presion opozitës me hipokrizira të tilla si: ka kohë e s’ka kohë. Parimi është më i rëndësishmi dhe parimi është drejtësi e pakapur. Drejtësi alla Shullaz, alla Prenga, drejtësi alla Kokëdhima ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë kurrë”, u shpreh zoti Basha.

Deklaratat e zotit Basha vijnë pas thirrjeve të shumta të faktorit ndërkombëtar për të përmbyllur sa më shpejt procesin. Dy ditë më parë zëvendës ambasadori amerikan në Tiranë nënvizoi se “ndërsa ka negociata që duhen zhvilluar para se të hartohet varianti përfundimtar dhe të paraqitet për votim, tashmë është shumë vonë për ndryshime thelbësore të pjesëve kryesore të reformës” duke shtuar se në këtë cështje duhet të bëhet përparim pasi “nuk ka më kohë për vonesa dhe argumente pa fund”, theksoi ai.

Sipas zotit Basha opozita ka pranuar propozimet e ndërkombëtareve lidhur me vendimmarrjen për emërimet në institucionet e drejtësisë, ndërsa për strukturën u shpreh se edhe Komisioni i Venecias, por edhe varianti i rishikuar “kanë përcaktuar se arkitektura që pamundëson kapjen e sistemit është përgjegjësi e ligjvënësve”, për këtë arsye, theksoi zoti Basha “nuk mund të ketë një formulë e në veçanti, pranueshmëri të një formule që nuk garanton moskapjen politike”.

XS
SM
MD
LG