Lidhje

Berisha përjashtohet sërish nga parlamenti


Mbrëmë vendimi i Byrosë, pas deklaratave të ish kryeministrit ndaj pasuesit të tij Edi Rama, gjatë seancës të së enjtes

Në Shqipëri Byroja e Parlamentit shqiptar vendosi mbrëmë përjashtimin me 10 ditë të ish kryemiistrit Sali Berisha. Kërkesa për masën disiplinore ndaj tij u bë nga grupi socialist për shkak të deklaratave të tij gjatë seancës parlamentare të së enjtes, ku ai sulmoi kryeministrin duke e quajtur kriminel. Zoti Berisha u shpreh se këtë term e ka përdorur kryeministri për të përkufizuar banorët e Veriut të Shqipërisë, por kjo u konsiderua nga socialistët si një tentativë për krijimin e dasive mes Veriut dhe Jugut të vendit.

Në përfundim të mbledhjes së Byrosë parlamentare përfaqësuesi socialist Taulant Balla tha se vendimi kishte qenë rigortozisht i lidhur me respektimin e rregullores së parlamentit “pasi është e papranueshme thirrja që ne si shumicë të mos respektojmë rregullat dhe ligjet kur këtë e bën Sali Berisha”.

Por përfaqësuesi i Partisë Demokratike Edmond Spaho u shpreh se sipas tij “është e disata herë që sapo i afrohemi momentit të votimit të Reformës në Drejtësi, një grup brenda PS-së është i interesuar që ta shohë PD-në jashtë parlamentit dhe ndaj ndërmarrin iniciativa të tilla që realizohen lehtësisht me mekanizmin e votës që kanë në Byronë e Kuvendit”.​

Kjo është hera e dytë brenda një muaji që zoti Berisha ndëshkohet me përjashtim nga parlamenti. Një muaj më parë, ndaj tij u mor e njejta masë, pasi gjatë një seance bëri thirje që qytetarët të marrin armët e të mbrohen nga qeveria. Pas përjashtimit të tij opozita reagoi ashpër duke bojkotuar parlamentin gjatë të gjithë kohëzgjatjes së dënimit të ish kryeministrit.

Për vendimin e mbrëmshëm nuk ka patur ende një qëndrim zyrtar të demokratëve. Mbetet për t’u parë nëse përjashtimi i zotit Berisha do të ndikojë apo jo në organizimin e takimit të pritshëm mes kryetarit të opozitës Lulzim Basha me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar mbi Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore. Dje të dy drejtuesit e forcave kryesore politike në vend ranë dakort në parim që të ulen së bashku për të diskutuar për këto cështje.

XS
SM
MD
LG