Lidhje

Vendosja e flamujve për çdo ushtar të rënë


Dita e të Rënëve është një fundjavë e gjatë tre-ditore për shumicën e amerikanëve. Për disa është fillimi jozyrtar i stinës së verës, kur hapen pishinat dhe fillon sezoni i pjekjes së mishit në zgarë. Por, domethënia e vërtetë e Ditës së të Rënëve është në origjinën e saj të kujtesës për ushtarët amerikanë të rënë në betejë. Çdo vit, në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit mbahet një ceremoni e veçantë flamujsh.

Kjo është ceremonia e flamujve në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit, në shtetin Virginia. Që nga viti 1948, ushtarë nga Garda e Vjetër vendosin një flamur tek çdo gur varri. Sot numërohen mbi 230 mijë gurë varri.

“Të ngroh zemrën kur ke mundësinë të bësh këtë gjë në nderim të tyre. Mendoj se është një eksperiencë që duhet ta përjetojnë të gjithë”, thotë Marisol Riley, rreshtere e ushtrisë amerikane.

Kjo ceremoni i paraprin Ditës së të Rënëve, kur është momenti për të kujtuar ata që i shërbyen vendit të tyre. Sean Hacksshaw është rreshter.

“Është për ushtarët e së kaluarës. Vendosim nga një flamur tek secili gur varri dhe përshëndesim çdo ushtarak për çfarë kanë bërë për ne.”

Por, për shumë nga këta ushtarë, kjo ceremoni është shumë më tepër se një memorie e së kaluarës së largët. Është një kujtim i miqve dhe familjarëve të tyre që humbën jetën duke kryer detyrën. E tillë është edhe rreshterja Alicia Foy.

“Kam miq në këtë varrezë; udhëheqës dhe bashkëluftëtarë të mitë janë varrosur këtu. Është një privilegj i madh që të kem mundësinë të vendos një flamur tek varri i tyre për t’i nderuar, pasi ata bënë sakrificën sublime për mua.”

Mbi një mijë ushtarakë me uniforma sfiduan vapën e ditës për të përmbushur misionin e vendosjes së flamujve.

Ceremonia pasohet nga ndërrimi i rojeve tek Varri i Ushtarëve të Panjohur, një vend i shenjtë në këtë tokë të shenjtëruar.

Dhe..., për miqtë dhe familjarët që kujtojnë këtu ata që nuk do të munden t’i shohin më kurrë, kjo është një mënyrë për t’u thënë ‘lamtumirë’ dhe ‘faleminderit’ për sakrificën e këtyre njerëzve të tyre dashur.

XS
SM
MD
LG