Lidhje

Muzeumi Metropolitan i Nju Jorkut


Interneti po u mundëson njerëzve të vizitojnë në mënyrë virtuale në muzeumet më të mëdha të botës, si Luvri në Paris, Muzeu Britanik në Londër dhe tani Muzeu Metropolitan i Nju Jorkut. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Nju Jork, Bernard Shusman, me praninë e tij në internet, muzeumi është bërë tërësisht interaktiv dhe i arritshëm për pjesën më të madhe të botës.

Shkallët e mëdha të fasadës së famshme Beaux Arts i çojnë vizitorët tek espozitat që shpalosin 5 mijë vjet të arritjeve njerëzore. Por, tani ka një mënyrë alternative për të parë muzeumin, një platformë që ofron një eksperiencë të injektuar teknologjikisht.

Falë internetit, Muzeumi Metropolitan i Artit në Nju Jork është i hapur për botën. Vetëm vitin e kaluar faqja e internetit pati 33 milion vizitorë. Vizitat në muze vitin e kaluar arritën shifrën rekord 6.3 milion me 40 përqind të huaj, janë sa një fraksion i vizitave përmes internetit. Presidenti i muzeumit, Dan Weiss, thotë se teknologjia ka një rëndësi të madhe.

“Interneti është platforma jonë e katërt. Kemi tre ndërtesa, tre muzeume të ndryshme, dhe kemi prezencën në internet me faqen elektronike që sjell një audiencë të madhe për ne.”

Përmes internetit, vizitorët mund të shijojnë koleksionin e madh të përhershëm të artit që nga Egjipti i lashtë dhe antikiteti klasik nëpërmjet mjeshtrave evropianë e deri tek arti amerikan dhe modernizmi.

Aty gjen rrjedhën kohore të artit, koleksionet e instrumenteve muzikore, armët antike dhe mburojat nga mbarë bota si dhe programe edukative për të gjitha moshat.

Së bashku me të shoqen, Masimo Carboni erdhi në Nju Jork për të parë panairet pas nxitjes që mori nga interneti.

“Në Instagram pamë pjesë të famshme të artit dhe kur vjen në Nju Jork nuk mund të kalosh pa e parë nga afër.”

Zyrtarët thonë se muzeumi i artit duhet të jenë i larmishëm për një audiencë botërore. Ekspozitat e veçanta përbëjnë edhe pjesët më tërheqëse.

Ekspozita më e madhe në historinë e muzeumit ishte “Kina Përmes Lentes” "China Through the Looking Glass."

Afro një milion vizitorë ndoqën këtë prezentatim mode dhe arti në ambjentet e muzeut dhe disa miliona nga interneti.

Në Maj, Instituti Kostumografik përmes ekspozitës eksploroi se si dezinjatorët e modës po bëjnë lidhjen me punimeve me dorë dhe atyre me makineri të rrobave të cilësisë së lartë dhe atyre eksperimentale. Si zakonisht, nata e hapjes së panairit mbledh njerëz të famshëm.

Muzeumi përllogarit që vizitorët vitin e kaluar shpenzuan më shumë se 5 miliard dollarë gjatë qëndrimit në Qytetin e Nju Jorkut, duke ndihmuar në nxitjen e ekonomisë së qytetit.

Deri tani, nuk duket se platforma në internet e muzeumit do të ndikojë ndonjëherë negativisht në uljen e numrit të madh të vizitorëve që duan të shohin nga afër koleksionin e përhershëm prej më shumë se dy milion veprash.

XS
SM
MD
LG