Lidhje

SHBA, Rusia dhe lufta në Siri


Rusia njoftoi mbrëmë vonë një pushim zjarri prej 48 orësh në qytetin sirian Aleppo, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Rusisë dhe presidentit sirian Bashar al-Assad të respektojnë armëpushimin në shkallë vendi, për të cilin ishte rënë dakord në muajin shkurt.

Në një deklaratë, ministria ruse e mbrojtjes tha se në Aleppo është shpallur ndalimi i luftimeve për 48 orë duke filluar nga dita e enjte me qëllim uljen e nivelit të dhunës së armatosur dhe stabilizimin e situatës.

Por, duke folur dje në Norvegji, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi Rusinë dhe qeverinë siriane se po e zbatojnë armëpushimin në mënyrë selektive, ndërkohë që forcat e Asadit vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë Aleppon, qyteti më i madh i Sirisë dhe objekt trashëgimie botërore të UNESKO-s:

"Ne e kemi bërë shumë të qartë, se nëse nuk kemi një përkufizim më të mirë se si do të funksionojë ky pushim zjarri, si do të zbatohet, kundrejt cilit do të zbatohet, atëherë ne nuk mund të rrimë duarkryq, ndërkohë që Asadi vazhdon ta sulmojë Aleppon dhe Rusia vazhdon ta mbështesë në këtë përpjekje.”

Zoti Kerry tha se ai beson se zbatimi i armëpushimit mund të arrihet nga të dyja palët dhe tha se kjo është e vetmja mënyrë për t’u ulur në një tryezë bisedimesh në Gjenevë dhe për të negociuar mbi një tranzicion legjitim.

Zoti Kerry ishte në Norvegji për Forumin vjetor të Oslos, që mbledh ndërmjetësues të konflikteve, vendimmarrës të nivelit të lartë, analistë dhe ekspertë për të shkëmbyer përvoja, për të identifikuar sfidat dhe për të reflektuar mbi praktikat e ndërmjetësimit.

Armëpushimi i muajit shkurt përgjithësisht nuk po zbatohet dhe është bërë pak përparim për të negociuar mbi një tranzicion politik që mendohet të fillojë më 1 gusht.

Lufta civile në Siri ka marrë më shumë se 280 mijë jetë njerëzish dhe ka bërë që miliona të kërkojnë strehim, kryesisht në Evropë. Luftimet filluan me shtypjen e protestave anti-qeveritare në mars të vitit 2011.

XS
SM
MD
LG