Lidhje

Kontrolli i armëve - Senati hedh poshtë propozimet


Tetë ditë pas vrasjeve masive më të rënda në historinë amerikane, senati amerikan hodhi poshtë një seri propozimesh për të kufizuar të drejtën për të blerë armë zjarri dhe për kontrollin e blerësve. Propozimet mbështeteshin me forcë nga senatorë demokratë.

Dje vonë, republikanët bllokuan dy propozime të hershme që demokratët i kishin përkrahur me forcë pasi personi i armatosur Omar Mateen vrau 49 persona vetëm një javë më parë në Orlando të Floridas.

Votimi vjen disa ditë pasi senatori demokrat i Kënektikatit Chris Murphy foli për 15 orë radhazi javën e kaluar për të kërkuar veprim legjislativ për dhunën nga armët.

"Terroristët sot përdorin armë luftarake në vend të avionëve për të sulmuar amerikanët. Pas 11 shtatorit, ne vendosëm të mos lejonim terroristët të merrnin avionë për të vrarë civilët. E pra, sot ata po përdorin armët luftarake."

Një projekt-ligj do të bllokonte personat në listat e ndryshme federale për terrorizëm, përfshi ata që nuk lejohet të fluturojnë, që të mos lejohen as të blejnë armë.Projekt-ligji tjetër do të zgjeronte kontrollin mbi blerjet e armëve duke përfshirë shitjet në internet.

Republikanët thanë se nuk mund të votojnë për asnjë propozim që nuk jep rrugëzgjidhje për personat që janë vendosur gabimisht në listat e terroristëve.

Votimi i së hënës vazhdoi modelin e ngërçit legjislativ për propozimet e kontrollit të armëve pas disa vrasjeve massive në Shtetet e Bashkuara, përfshi masakrën e vitit 2012 të 20 fëmijëve të një shkolle fillore dhe gjashtë mësueseve të tyre në Njutaun të Kënektikatit, dhe sulmin vitin e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, ku u vranë 14 persona.

Udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell akuzoi demokratët se po e përdorin tragjedinë e Orlandos për axhendën e tyre partiake ose si reklamë zgjedhore.

XS
SM
MD
LG