Lidhje

Sekretari Kerry në Europë për bisedime për referendumin britanik


Zoti Kerry bëri thirrje për bashkëpunim, me qëllim që të ruhet stabiliteti:

"Më e rëndësishmja është që të gjithë ne si udhëheqës, të bashkëpunojmë për të patur sa më shumë vazhdimësi, stabilitet dhe siguri, me qëllim që tregjet të marrin mesazhin se ekzistojnë mënyra për minimizimin e përçarjeve, për të shkuar përpara me zgjuarsi, me qëllim që të mbrohen vlerat dhe interesat tona të përbashkëta”.

Gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s në Bruksel, para se të shkonte në Londër. zoti Kerry tha se angazhimi i Britanisë në NATO është më i rëndësishëm se kurrë, pavarësisht daljes nga B.E.-ja.

“Ne presim të shënojmë arritje të rëndësishme në takimin e NATO-s në 8 dhe 9 korrik. Unë mendoj se pjesëmarrja e vendeve të Bashkimit Europian dhe angazhimi i Britanisë së Madhe në NATO është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Shpresojmë të kemi një takim shumë të frytshëm, pa ndryshuar asgjë në themelet mbi të cilat është ngritur kjo Aleancë, për shkak të rezultatit të referendumit në Britani. Të gjithë ne presim që NATO të forcohet më tej,”- tha Sekretari Kerry.

Në Londër, zoti Kerry do të gjejë një situatë shumë të ndryshuar. Kryeministri konservator David Cameron njoftoi të premten dorëheqjen dhe në Partinë Laburiste të opozitës po kërkohet gjithnjë e më tepër, që udhëheqësi i saj, Jeremy Corbyn, të japë dorëheqjen, duke e fajësuar atë se dështoi të sigurojë mbështetje brenda Partisë Laburiste, për të penguar votimin për daljen nga BE:

"Sipas mendimit tim, udhëheqësit të ri të Partisë Konservatore do t’i duhet të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme për të patur një mandat të ri këtë vjeshtë. Pyetja e madhe që do t’i duhet t’i përgjigjet Jeremy, është, a mendon ai me ndershmëri se është udhëheqësi i duhur i partisë sonë për të na çuar në zgjedhje të përgjithshme, sidomos në kushtet e një pune komplekse, monumentale, siç është negocimi i bisedimeve me BE-në”, thotë Stephen Kinnock me Partinë Laburiste.

Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, një prej politikanëve më aktivë për të qëndruar në BE, i denoncoi udhëheqësit politikë të Britanisë, si jo kompetentë, në një intervistë që dha të dielën në televizionin e BBC–së

"Një kaos i vërtetë, një mungesë e turpshme organizimi, pikërisht në një kohë kur e gjithë Britania e Madhe ka nevojë për udhëheqje, ndoshta më tepër se kurrë më parë në periudhën e pas luftës; Partia Konservatore dhe ajo Laburiste heqin dorë plotësisht nga përgjegjësia, duke i zhgënjyer njerëzit në mbarë Anglinë; e shoh me tmerr këtë gjendje, është e turpshme dhe dikush duhet të marrë përgjegjësinë e organizimit.

Ministrja skoceze, po ashtu këmbënguli që Parlamenti i Skocisë e kishte fuqinë për t’i vënë veton daljes nga EU, duke refuzuar miratimin e saj.

Skocia votoi me shumicë dërrmuese që Britania të qëndronte në Bashkimin Europian. Politikanja Sturgeon kishte paralajmëruar se ajo do shqyrtonte çdo mundësi për ta mbajtur Skocinë në BE, duke përfshirë edhe një referndum të dytë për pavarësinë e Skocisë nga Britania.

Një peticion për përsëritjen e referendumit ka mundur të sigurojë më tepër se tre milionë firma, thuajse duke garantuar zhvillimin e një debati parlamenter, i cili mund t’i thellojë më tej çarjet brenda të dyja partive: asaj Laburisdte dhe asaj konservatore.

XS
SM
MD
LG