Lidhje

Fotoja Rama-Obama, PD padi në Prokurori


Dyshimet për një pagesë 80 mijë dollarëshe në vitin 2012, deputeti Halimi: Kryeministri ka konsumuar të paktën elementët e tri veprave penale, atë të mashtrimit, fshehjes dhe pastrimit të parave, duke ushtruar një ndikim të paligjshëm

Në Shqipëri vazhdojnë debatet lidhur me foton e kryeministrit Edi Rama me presidentin amerikan Barack Obama në vitin 2012. Opozita dorëzoi sot, përmes deputetit Eduard Halimi, një kallzim penal ndaj zotit Rama pas dyshimeve për një pagesë prej 80 mijë dollarësh për realizimin e fotos.

“Edi Rama ka konsumuar të paktën elementët e tri veprave penale, atë të mashtrimit, fshehjes dhe pastrimit të parave, duke ushtruar një ndikim të paligjshëm dhe duke përfituar ai drejtëpërdrejt, nëpërmjet këtij ndikimi të paligjshëm. Duhet të jenë organet ligjzbatuese shqiptare tani që duhet ta marrin nën përgjegjësi penale dhe kryeministri të shpjegojë edhe përfitimin, dhe kalimin e parave dhe gjithshka tjetër që ka të bëjë me këtë ngjarje absolutisht të rëndë që ka ndodhur në vitin 2012”, deklaroi zoti Halimi.

Çështja për foton me presidentin Obama u rihap pasi shtetasi me origjinë shqiptare Bilal Shehu pranoi se ka shkelur ligjet amerikane duke pohuar se në shtator të vitit 2012 ka ndihmuar dy shtetas të huaj që të japin një kontribut prej 80 mijë dollarësh të cilat u derdhën prej tij në favor të fushatës së presidentit amerikan, me qëllim që të mundësonte pjesmarrjen e tyre një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Zëri i Amerikës mësoi nga burime zyrtare se paratë që janë kaluar në llogarinë e Shehut janë dërguar nga Shqipëria.

Kryeministri Rama, përmes zyrës së shtypit ka mohuar të ketë marë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe të ketë kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Edhe sot në kundërpërgjigje të denoncimit nga opozita përsëriti se “s'ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm”.

XS
SM
MD
LG