Lidhje

Fëmijët e të arratisurve nga Korea e Veriut


Një organizatë misionare e krishterë nga Korea e Jugut po ndihmon në Kinë disa mijëra fëmijë të të arratisurve nga Korea e Veriut, që jetojnë në varfëri dhe abuzohen për shkak të statusit të tyre pa shtetësi. Disa prej këtyre fëmijëve janë të regjistruar tashmë në një shkollë ndërkombëtare në Seoul.

Pastori Chun Ki-won i kishës në Durihana ka ndihmuar për shpëtimin e shumë fëmijëve të të arratisurve nga Korea e Veriut, së bashku me nënat e tyre, nga jeta pa status ligjor dhe pa mbrojtje që kishin në Kinë.

Megjithëse masat e shtuara të sigurisë kufitare kanë ulur numrin e të arratisurve drejt Kinës, zoti Chun thotë se trafikantët vazhdojnë t’u japin rryshfet rojeve për kalimin e grave koreanoveriore, të cilat kërkohen në Kinë për punë shtëpiake apo si punëtore seksi.

“Ka shumë njerëz që kërkojnë të blejnë gra dhe ndërkohë ka shumë koreanoveriore që duan të arratisen.”

Shumë prej të arratisurve lindën fëmijë në Kinë. Zoti Chun ndihmoi disa prej tyre t’i shpëtojnë situatave abuzive, kur nuk kishin të drejta apo status ligjor.

“Në Kinë bënim jetë shumë të rrezikuar, por këtu në Kore po shijojmë lirinë.”

Gjatë kësaj vere në Shkollën Ndërkombëtare Durihanna në Seoul, të arratisurit koreanoveriorë jetojnë dhe studiojnë bashkë me një grup koreano-amerikanësh nga kishë e Nju Jorkut.

Është e vështirë t’i dallosh dy grupet ndërsa ata qeshin dhe luajnë pavarësisht nga ndasitë e dy botëve krejt të ndryshme.

20-vjeçarja Yu Eun-kyung kujton varfërinë e rëndë në vendin e saj që shtyu familjen të rrezikonte të burgosej në kërkim të një jete më të mirë.

“Nuk kishte as jeshillëk anës rrugëve. Njerëzit hanin më shumë bar se sa ushqim.”

Ndërsa 11-vjeçarja Kim Choon-woo mbart shenjat e plagosjes me thikë nga i jati kinez.

“Veproi kështu pasi ishte mendërisht i sëmurë.”

Pastoi Chun thotë se shumica e të arratisurve të Koresë së Veriut që po ndihmohen nga kisha e tij, kanë përjetuar trauma apo shfrytëzim. Mendohet se janë rreth 30 mijë fëmijë koreanoveriorë të lindur në Kinë, ku nuk konsiderohen si shtetas dhe nuk u ofrohet arsim apo kujdes shëndetësor.

XS
SM
MD
LG