Lidhje

Obama: Terrorizmi është kërcënim për të gjithë


Në takimin e përvitshëm me trupin diplomatik në Uashington, Presidenti Obama komentoi për ngjarjen e së enjtes në Nisë dhe tha se terrorizmi është një kërcënim për të gjithë.

“Nuk i dimë të gjitha hollësitë, por dimë që edhe një individ i vetëm është në gjendje të bëjë një dëm të jashtëzakonshëm,” tha Presidenti.

Ai tha se kishte biseduar të premten paradite në telefon me Presidentin francez François Hollande për t’i shprehur solidaritet.

“Ndryshe nga ata që shkatërrojnë, - tha Presidenti Obama, - ne do ta fitojmë këtë luftë duke ndërtuar. Ne do ta mposhtim këtë ideologji, duke ofruar një vizion më të mirë për zhvillim ekonomik, në mënyrë që njerëzit, sidomos të rinjtë të kenë më shumë shpresë dhe shanse.”

Presidenti tha se “ne nuk duhet të përkulemi përpara frikës, as të sakrifikojmë mënyrën tonë të jetesës. Nuk duhet të lejojmë të përçahemi për shkak të fesë, sepse kjo është pikërisht ajo që duan terroristët.”

SULMI NË FRANCË, HETIMET VAZHDOJNË

Prokurori i Francës tha të premten se bilanci i sulmit në Nisë kishte arritur në 84 të vdekur dhe 202 të plagosur, 52 prej tyre në gjendje të rëndë.

François Molins tha se mes të vrarëve ishin edhe 10 fëmijë. Dy shtetas amerikanë janë konfirmuar mes atyre që humbën jetën. Policia franceze e ka identifikuar autorin e sulmit si 31-vjeçarin Mohamed Lahouaiej Bouhlel, me shtetësi franceze dhe tuniziane, që banonte në Nisë.

Prokurori tha se në kamionin që Mohamed Lahouaiej Bouhlel përdori për të goditur njerëzit ishin gjetur armë dhe municione. Ai tha se personi nuk ka qenë objekt hetimesh për radikalizëm, por për vepra të vogla penale.

Bouhlel ishte i divorcuar, me tre fëmijë. Ish-gruaja e tij po merret në pyetje nga autoritetet franceze.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, edhe pse përkrahës të grupit Shteti Islamik shprehën mbështetje për të në internet. Në një fjalim drejtuar vendit, Presidenti francez Francois Hollande tha se sulmi ishte kryer me synimin “për të kënaqur mizorinë e një individi dhe ndoshta edhe të një grupi.” Në komentet që bëri pasi vizitoi spitalin ku po mjekohen viktimat, ai tha po ashtu se “Franca po përballet me një luftë, e cila do të vazhdojë gjatë.”

Presidenti Barack Obama bëri një deklaratë, ku e cilësonte ngjarjen “një sulm terrorist të neveritshëm”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë për hetimet.

Edhe pse autori i sulmit është identifikuar dhe duket se ai është i vetëm, policia franceze tha se megjithatë, ajo po vazhdon kërkimet për të dyshuar të tjerë.

XS
SM
MD
LG