Lidhje

Shtohet numri i refugjatëve sirianë që mbërrijnë në SHBA


Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të ndihmuar rreth 85 mijë refugjatë nga mbarë bota deri në muajin tetor. 10 mijë prej tyre do të jenë nga Siria dhe tashmë rreth 4 mijë kanë mbërritur në shtetin Illinois. Megjithatë, ardhja në territorin amerikan nuk është fundi i rrugëtimit të tyre drejt paqes dhe stabilitetit. Pas vetëm dy javësh në SHBA, Hasna Marza dhe vajza e saj 8-vjeçare Samaa panë fishekzjarret për festën e pavarësisë së SHBA-së.

“Në Ditën e Pavarësisë këtu pati shumë fishekzjarre dhe në fillim patëm frikë të dilnim nga shtëpia, por hapa dritaren dhe i tregova Samaasë se këto ishin vetëm fishekzjarre dhe se nuk ishim në luftë,” thotë Hasna.

Ata patën jetuar në mes të luftës në shtëpinë e tyre në Damask. Eksperienca e la Samaanë, atëherë 4-vjeçare, të traumatizuar.

“Ndodheshim ndërmjet dy palëve luftuese. Qëndronim në bodrum dhe një raketë goditi një kat lart,” tregon nëna e saj Samaa.

Pas tre përpjekjesh për t’u larguar nga Siria, Hasna dhe Samaa mbërritën në Egjipt, ku qëndruan për disa vite përpara se të mbërrinin në SHBA në muajin qershor.

“Programi për refugjatët në SHBA nuk është një program i përshpejtuar,” thotë Melineh Kano e agjencisë “Refugee One”.

Melineh drejton agjensinë që po ndihmon Hasnan dhe të bijën. Ajo i kupton vuajtjet e tyre pasi u largua vetë nga Irani në vitet ’80-të.

“Nuk janë në gjendje t’ia dalin mbanë vetë pasi janë ende të tronditur mendërisht dhe fizikisht.”

Agjensia “Refugee One” i ndihmon azilkërkuesit të gjejnë punën, vend e banimi dhe për nevoja të tjera.

Organizata mbështetet me fonde qeveritare dhe donacione private për të përmbushur nevojat e të zhvendosurve, ndër ta edhe sirianë si Hasna dhe Samaa.

“Deri në muajin prill ishim marrë me rreth 20 familje, ndërsa tashmë kemi mbi 60.”

Zonja Kano thotë se numri i familjeve mund të rritet në 150 deri në tetor.

Ndërsa Hasna po kërkon të gjejë punë, ajo po ndjek kursin e gjuhës që ofron agjencia.

Megjithëse bashkëshorti i vdiq përpara luftës civile në Siri, anëtarë të tjerë të familjes së saj ende jetojnë në mes të konfliktit. Hasna mezi pret ditën kur ata t’u bashkohen në SHBA.

“Do të ishte e mrekullueshme, por nuk e di nëse është e mundur.”

Rreth 5 milionë njerëz që i largohen luftës në Siri janë regjistruar nga agjensia e OKB-së për refugjatët. Vetëm më pak se 1% e tyre do të mbërrijnë në SHBA.

XS
SM
MD
LG