Lidhje

Një refugjat, për herë të parë ka atdhe


Sipas përllogaritjeve të Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën ka mbi 45 milionë refugjatë. Deri kohët e fundit, Awadh Alsrya ishte një prej tyre. Prej dekadash refugjat nga një luftë që filloi para lindjes së tij, më në fund Awadi ka një atdhe. Reportazhi në vazhdim na njeh me rrugëtimin e tij:

Awad Alsrya e ka pritur këtë moment për më shumë se 50 vjet. Më 4 korrik, në Ditën e Pavarësisë së Amerikës ai bëri betimin si shtetas amerikan së bashku me dy djemtë dhe 80 veta të tjerë në Sharlotsvil të Virxhinias.

“Mendoj se kjo datë do të jetë sot e tutje ditëlindja ime. Do të kem dy ditëlindje: ditën kur linda në Irak dhe një ditëlindje të dytë, 4 korrikun”.

Awad lindi në Irak nga dy prindër palestinezë të vendosur atje si refugjatë. Gjithë jetën e tij ai nuk ka pasur shtetësi dhe ka jetuar si refugjat.

“Kur e kalova provimin e shtetësisë, më dolën lotë pasi e kam pasur ëndërr prej 58 vjetësh. Kam pritur prej shumë, shumë kohësh”.

Famlja e tij jetonte në Bagdat ku kishte një dyqan ushqimesh me një partner irakian. Por në 2003 Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun; më pas vendi u përfshi edhe nga dhuna sektare.

“Çdo ditë, sapo hapja derën shihja trupa të vrarësh në rrugë. Shkoja në dyqan, edhe atje shihja trupa të vrarësh. Kjo s’është jetë”.

Kur partneri i tij u qëllua për vdekje dhe gruaja u plagos në sup, familja u largua nga Bagdati.

“Mbyllëm çdo gjë. Nuk kishim nevojë për asgjë. Humbëm të gjitha paratë, të gjithë biznesin. Doja vetëm të shpëtoja djemtë dhe familjen. Mendoja se atje, një ditë, pas një jave, pas një muaji, ndoshta më vonë, djemtë mund të vriteshin”.

Ata jetuan për tre vjet në një kamp refugjatësh në shkretëtirën irakiane pranë Sirisë. Vapa e madhe, mungesa e ujit, temperaturat e ulëta në dimër dhe zjarret që shpërthenin herë pas here në kamp e rëndonin situatën.

Gjashtë vjet më parë familja erdhi në Shtetet e Bashkuara përmes programit të Departamentit të Shtetit për refugjatët. Ata u vendosën në Virxhinia.

“Më besoni, ditën e parë që mbërrita këtu ndjeva diçka përbrenda. E ndjeva që ky është atdheu im”.

Që nga ardhja në Shtetet e Bashkuara, Awadi ka punuar në një dyqan ushqimesh, në sektorin e bulmetit dhe ushqimeve të ngrira. Një nga djemtë që studion në universitet, punon aty disa orë në javë.

“Më pëlqen puna që bëj. Dua t’ia shpërblej Amerikës pasi më dha shtetësinë. Dua të bëj më shumë. Kam gjashtë vjet që punoj dhe nuk kam marrë pushime”.

“Ja ku jam, në shtëpinë time. Jam i lumtur. Por në Irak, në këtë kohë nuk mund të rrish para shtëpisë sime. Dikush mund të të vrasë”.

Pak pasi mori shtetësinë, Awadi dhe djemtë aplikuan për pasaporta amerikane. Për herë të parë në jetë ata janë pajisur me pasaportë.

“Zoti më dhëntë kohë që të jetoj dhe të kem mundësi t’ia shpërblej Amerikës, pasi Amerika më ndihmoi të realizoj ëndrrën time”.

XS
SM
MD
LG