Lidhje

Fergusoni, dy vjet pas trazirave


Para dy vjetësh, qyteti i vogël i Fergusonit në shtetin qendror të Mizurit, u trondit nga ditë të tëra protestash dhe trazirash pasi një oficer i bardhë policie vrau adoleshentin Michael Brown, një afrikano-amerikan. Trazirat sociale nxorrën në pah diskriminimin brenda Departamentit të Policisë së Fergusonit dhe një komunitet kryesisht afrikano-amerikan që vuante pasojat e mungesës së arsimit dhe mundësive të punësimit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Chris Simkins njofton nga Fergusoni, ku janë ndërmarrë nisma për përmirësimin e sistemit arsimor dhe për t’u dhënë të rinjve një shans për sukses në jetë.

Të rinjtë e Fergusonit janë ende të lënduar nga gjurmët e protestave para dy vjetësh.

“Është punë e pambaruar. Nuk kemi arritur në pikën ku të themi ‘në rregull, tani çdo gjë është zgjidhur" thotë Shawn Filer, nxënës nga Fergusoni.

Trazirat sociale u shkaktuan nga vdekja e 18 vjeçarit Michael Brown, i cili u godit disa here nga një oficer i bardhë, pas një shkëmbimi mes tyre në rrugë në gusht 2014.

“Në një farë mase marr përgjegjësi për atë që i ndodhi dhe për fëmijët e tjerë këtu tek ne. Mendoj se nëse do ta kishim arsimuar më mirë, ai do të ishte këtu sot. Nuk mendoj se i thamë çka meritonte dhe e kam fjalën për një arsimim me standarde”, thotë Joseph Davis që mori detyrën e inspektorit të shkollave të distriktit të Fergusonit, më pak se një vit pas trazirave.

Ai u vendos atje për të përmirësuar shkollat dhe njëkohësisht për të konsoliduar një komunitet në krizë. Ai i kupton sfidat:

“Të sigurohemi një çdo fëmijë të ketë një arsim me standarde. Nuk besoj se e kemi garantuar këtë sidomos për fëmijët me ngjyrë e sidomos për djemtë me ngjyrë. Këta janë grupet e nxënësve që kanë prirjen të mbeten prapa kur shikojmë statistikat”.

Fergusoni është një pasqyrë e rajonit St. Louis në përgjithësi, ku sipas vlerësimeve mbi 50 mijë të rinj nuk i kanë mundësitë e punësimit dhe arsimit dhe mbi gjysma e burrave afrikano-amerikanë janë të papunë.

Nxënësja e shkollës së mesme Aniya Betts thotë se vëmendja duhet të jetë tek mundësitë e trainimit:

“Të mësohen banorët sesi të sjellin mirëqenie në komunitet. Kam pare plot programe që hapen këtu, por nuk u mësojnë të rinjve aftësitë për të krijuar karriera për veten”.

Inspektori Davis ndërmorri një fushatë prej dy milionë dollarësh për të nxitur leximin mes 11 mijë nxënësve ku 80 për qind janë afrikano-amerikanë dhe 76 për qind jetojnë në varfëri. Ai do gjithashtu të krijojë më shumë mundësi për të ndihmuar prindërit:

“Kemi prindër që nuk kanë diploma të shkollës së mesme, pradaj duhet t’i ndihmojmë, dhe të forcojmë familjet që t’i arsimojnë më shumë fëmijët”.

17 vjeçari Shawn Filer shpreson të pranohet në Universitetin Stanford, duke mos iu nënshtruar paragjykimeve se ai nuk mund të jetë i shkëlqyer në shkollë:

“Shanset janë në dispozicion. Por duhet të ketë një ndryshim mentaliteti që vjen me kalimin e kohës dhe nuk është e thjeshtë”.

Zoti Davis thotë se do të vazhdojë të punojë për të arritur objektivin që 100 për qind e nxënësve të tij të diplomohen në kohë:

“Kur fëmijët mësojnë dhe e kuptojnë pozicionin e vet në botë dhe se si ta ndërtojnë karakterin e vet, ata bëhen qytetarë të vlefshëm”.

Njerëzit në Ferguson thonë se pikërisht për këtë ka nevojë komuniteti, ndërsa vazhdon të ringrihet, rigjallërohet dhe forcohet.

XS
SM
MD
LG