Lidhje

Trump kërkon prokuror të posaçëm për të hetuar Fondacionin Clinton


Kandidati republikan presidencial Donald Trump po kërkon një prokuror të pavarur për të hetuar menjëherë Fondacionin Hillary dhe Bill Clinton, duke thënë se FBI-ja nuk mund të besohet me këtë detyrë.

Trump e kaloi pjesën më të madhe të fjalimit të tij të fushatës dje në Akron të Ohajos duke u përqëndruar në atë që ai e cilësoi si një shtrirje të madhe të kriminalitetit të kandidates presidenciale demokrate Hillary Clinton duke shtuar se është i shokuar prej saj.

"Departamenti i Drejtësisë duhet të caktojë një prokuror special të pavarur pasi ka provuar të jetë fatkeqësisht një armë politike e Shtëpisë së Bardhë. Kjo nuk është pare më parë. Departamenti i Drejtësisë ka vepruar në mënyrë jo-etike."

Kundërshtarët republikanë të Clintonit pretendojnë se donator të mëdhenj të fondacionit të bamirësisë e kanë përdorur atë për të patur qasje të veçantë tek zonja Clinton apo ndihmësit e saj të ngushtë kur ajo ishte Sekretare Shteti.

Zonja Clinton i ka mohuar akuzat. Duke u shfaqur dje në një program argëtues zonja Clinton i hodhi poshtë akuzat e Trumpit si gënjeshtra.

E-mailat e publikuar së fundmi tregojnë se ndërsa disa prej ndihmësave të zonjës Clinton u është kërkuar favor, nuk ka prova që e kanë marr këtë favor apo nëse zonja Clinton ka qënë e përfshirë.

Ish presidenti Bill Clinton njoftoi javën e kaluar se fondacioni do të ndryshojë mënyrën e të bërit biznes nëse bashkëshortja e tij zgjidhet president. Ai do të ndalojë të pranojë donacione të huaja apo nga korporatat dhe Bill Clintoni vetë do të jape dorëheqjen nga bordi drejtues.

Anketat e fundit tregojnë se zonja Clinton ka një epërsi prej 6 përqindësh ndaj kandidatit republikan Donald Trump.

XS
SM
MD
LG