Lidhje

Franca, SHBA kritikojnë ndërhyrjen turke në Siri


Presidenti francez Francois Hollande kritikoi veprimet ushtarake të Turqisë në Siri, duke thënë se “ndërhyrjet e shumta dhe kontradiktore” shtojnë rrezikun e përhapjes më tej të konfliktit. Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, i bëri thirrje dje Turqisë të përqëndrohet në luftën kundër Shtetit Islamik dhe jo kundër forcave kurde aleate të SHBA-së.

“Sot Turqia ka vendosur një pjesë të ushtrisë së saj në territorin sirian për t’u mbrojtur nga kërcënimi i Shtetit Islamik. Është e kuptueshme pas sulmeve që pësoi ky vend që kërkon të ruajë kufijtë e tij, por po sulmon ndërkohë edhe forcat kurde të cilat po luftojnë Shtetin Islamik së bashku me koalicionin. Këto ndërhyrje të shumta dhe kontradiktore rrezikojnë nxehjen e situatës, prandaj lind nevoja urgjente për ndalim të luftimeve dhe rikthim në negociata.”

Komentet e Presidentit francez u bënë një ditë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter i bëri thirrje Turqisë të përqëndrohet në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin aktivitetin e tyre kundër ISIL-it dhe përpjekjet për sigurimin e kufirit deri në qytetin Xharablus, por jo përtej këtij qyteti.”

Ushtria turke dhe aleatët e saj sirianë po zhvillojnë një fushatë për të larguar nga zona kufitare e qytetit sirian Xharablus, militantët e ISIS-it dhe forcat kurde YPG, të cilat janë pjesë e Forcave Demokratike të Sirisë. Këto forca kurde kanë ndihmuar rishtazi në zmbrapsjen e militantëve të Shtetit Islamik nga qyteti sirian Manbij, rreth 40 kilometra pranë qytetit Xharablus.

XS
SM
MD
LG