Lidhje

Rivlerësimi i gjyqtarëve, nis seanca për votim


Opozita kundërshton projektin si antikushtetues. Kryeministri Rama: Ligji do të kalojë me ose pa konsensusin e opozitës

Në Shqipëri parlamenti pritet të votojë sonte në përfundim të një seance të jashtëzakonshme, ligjin per rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Opozita e cila e ka kritikuar që në fillim projektin, duke e cilësuar atë si në shkelje të kushtetutës, ka rikonfirmuar edhe sot se qëndrimin kundër. Kryeministri nga ana e tij deklaroi se ligji do të miratohet me ose pa konsensusin e opozitës.

Rivlerësimi i gjyqtarëve, nis seanca për votim
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi i saj për projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili vlerësohet si më i rëndësishmi për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Që në fillim të diskutimeve rreth tekstit, ditët e para të gushtit, ajo paraqiti një sërë vërejtjesh. Por ato nuk u morën parasysh nga ekspertët ndërkombëtarë të misionit EURALIUS dhe OPDAT të cilët vlerësuan propozimet e saj. Ata deklaruan se disa vërejtje, kryesisht anësore, ishin të vlefshme, porse thelbi i ligjit nuk mund të prekej, duke përcaktuar të paktën 4 parime të konsideruara si thelbësore që Bashkimi europian të angazhohej në këtë process me ekspertizën e tij dhe me fonde prej disa miliona eurosh.

Opozita paraqiti në mbledhjen e 23 gushtit një numër të madh amendamentesh, por edhe ato nuk u morën në konsideratë, dhe Komisioni i posaçëm i Reformës, miratoi variantin e propozuar nga ndërkombëtarët. Përfaqësuesit demokratë deklaruan më pas se teksti kishte probleme të mëdha kushtetuese, ndërsa më vonë paraqitën dhe amendamente të tjera. Opozita paralajmëroi ankimim në Gjykatën kushtetuese. Një qëndrim i cili duket se është rikonfirmuar edhe në mbledhjen e sotme të grupit të saj parlamentar pak orë para nisjes së seancës. Kryetari Lulzim Basha mësohet të ketë deklaruar sërish se projekligji është antikushtetues e për pasojë nuk mund të votohet nga opozita.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, në një komunikim live me qytetarët përmes Facebook-ut dhe Tëitter-it, u shpreh se shpresonte që opozita të reflektonte duke saktësuar megjithatë se shumica do të ecë përpara dhe e vetme: “Me ose pa konsensusin e PD ne do të shkojmë përpara. Refroma në Drejtësi nuk ndalet dhe këto ligje do të kalojnë me 84 apo më shumë, të shikojmë, votat e shumicës qeverisëse”.

Për miratimin e ligjit kërkohet një shumicë të cilësuar prej 84 votash, të cilat numerikisht koalicioni i majtë i kontrollon dhe i vetëm.

XS
SM
MD
LG