Lidhje

Kritikat për partinë në pushtet në Rusi


Sipas një raporti të partisë opozitare ruse, të titulluar “Partia Kriminale e Rusisë”, partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, e njohur për besnikërinë e saj ndaj presidentit Vladimir Putin dhe Kremlinit, është bërë në thelb një mjet për të legjitimuar politikisht krimin e organizuar në vend.

"Mendoj se titulli i raportit reflekton me mjaft saktësi përmbajtjen e tij”, citohet të ketë thënë në fillim të muajit, Ilya Yashin, zëvendës kryetari i partisë opozitare, Partia për Lirinë e Popullit. “Rusia e Bashkuar në vitet e ekzistencës së saj është kthyer në një ashensor social me të drejta të plota për krimin e organizuar, grupet kriminale dhe kriminelët individualë, të cilët e përdorin partinë për të arritur një nivel të ri të aktiviteteve të tyre kriminale, për t’u integruar me organet e pushtetit shtetëror,” thotë ai.

Në raportin e tij prej 66 faqesh, Ilya Yashin ofron një listë të gjatë të anëtarëve të partisë Rusia e Bashkuar të akuzuar për përfshirje – apo edhe organizim të krimeve të ndryshme të profileve të larta.

Në të përfshihen Vyacheslav Gaizer, ish guvernatorin e Republikës Komi në veriperëndim të Rusisë, i cili u arrestua në vitin 2015 për drejtimin e një grupi kriminal të përfshirë në vjedhjen në shkallë të lartë të pasurive shtetërore; Alexander Khoroshavin, ish guvernator i rajonit Sakhalin në lindje të Rusisë, i cili gjithashtu u arrestua vitin e kaluar nën dyshime për përvetësime në shkallë të gjerë dhe mitmarrje; Said Amirov, ish kryetari i bashkisë së qytetit Makhachkala, që është edhe kryeqyteti i Republikës së Dagestanit, i cili u dënua vitin e kaluar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe krime të tjera; si dhe shumë emra të tjerë.

Partia Rusia e Bashkuar, sigurisht i hodhi poshtë këta anëtarë që kur u vunë në shënjestër nga prokuroria e vendit.

“Natyra e krimeve të lidhura me këtë parti mbulon të gjithë kodin penal,” tha zoti Yashin të martën në një prezantim të raportit në Moskë. “Ato nuk kanë të bëjnë vetëm me mashtrime dhe vjedhje, por gjithashtu me nene shumë më serioze të kodit penal.”

Raporti i zotit Yashin tërhoqi pak vëmendje në Moskë, përveç një artikulli ironik në internet nga portali Pravda.ru, një grup privat që përdor emrin e ish-gazetës zyrtare të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

"Raporti i Ilya Yashinit përmban fakte të shtrembëruara, citime dhe ngjarje të keqinterpretuara," shkruhet në portalin Pravda.ru. Korrupsioni në Rusi është real, thuhet në artikull për të shtuar më tej se, "Yashin nuk ka kryer ndonjë hetim apo studim," dhe mënyra sesi ai i interpreton informacionet e mbledhura në internet e bëjnë raportin e tij “një koleksion gënjeshtrash nga fillimi në fund."

'Partia e hajdutëve'

Më 18 shtator në Rusi zhvillohet zgjedhjet e përgjithshme. Zoti Yashin tha se synimi i tij është përsëri të tregojë se Rusia e Bashkuar është “partia e hajdutëve” ashtu sic e etiketoi atë blogeri anti-korrupsionit Alexei Navalny në vitin 2011 – në mënyrë që votuesit të mendojnë dy herë kur të hedhin votën e tyre.

Në një anketë në qershor të vitit 2011 organizuar nga qendra Levada, agjencia e vetme e pavarur kombëtare në Rusi, 33 për qind e të anketuarve thanë se janë dakort me pikëpamjen se Rusia e Bashkuar ishte një parti hajdutësh. Ky numër u rrit në 38 për qind në një anketë të organizuar nga qendra Levada në shtator të vitit 2012, dhe 51 përqind në prill të vitit 2013.

Pas protestave masive të opozitës në dhjetor të vitit 2011, vetë zoti Putin refuzoi etiketimin e Rusisë së Bashkuar si partia e hajdutëve, duke thënë se korrupsioni nuk është i kufizuar vetën tek një parti politike e duke shtuar se "ajo që është e rëndësishme megjithatë, është sesi qeveria po i lufton këto fenomene negative."

Gennady Gudkov, një kolonel në pension i KGB-së i tha shërbimit rus të Zërit të Amerikës se “pushteti vertikal” që është krijuar në vend është një rrugë e drejtëpërdrejt për pasurim të paligjshëm.

"Sistemi jo vetëm siguron besnikërinë e autoriteteve, por në një pjesë të madhe lejon të emëruarit të veprojnë pothuajse në mënyrë të pakontrolluar”, tha ai. “Përgjithësisht, objektivi kryesor i qeverisë është ruajtja e pushtetit për të vazhduar pasurimin e paligjshëm" , shton ai.

Pandëshkueshmëria

Gjatë viteve që ka ekzistuar, ky sistem ka krijuar një klasë të tërë njerëzish që kanë bërë para në mënyrë tërësisht kriminale, thotë zoti Gudkov.

“Ata që janë në pushtet, janë të përgatitur të mbrojnë të drejtat e tyre me çdo mënyrë për të plaçkitur pasurinë kombëtare në mënyrë të pakontrolluar dhe pa u ndëshkuar,” thotë zoti Gudkov. “Ata sillen si okupatorë. Është një pushtim i butë, që nuk ka çuar deri tani në krijimi e kampeve të përqëndrimit dhe të tjera si këto. Por në përgjithësi, vjedhjet janë shumë të përhapura,” shton ai.

Sipas zotit Gudkov, sistemi thjesht nuk mund të jetojë pa korrupsion dhe rryshfete. Si rezultat, qeveria e ka humbur tërësisht potencialin e saj për t’u vënë në krye të zhvillimit të vendit.

“Natyrisht, nën këto kushte, vjedhjet dhe pasurimi me çdo kosto sjellin vet fundin”, thotë Gudkov.

Alexei Kondaurov, gjeneral në pension i KGB-së që ka shërbyer gjithashtu në parlamentin rus, beson se njerëzit përpiqen të anojnë nga partia në pushtet për të siguruar përfitime.

Anëtarësimi në Parti = Mbrojtje

"Kjo është sigurisht e vërtetë”, i tha zoti Kondaurov shërbimit rus të Zërit të Amerikës. “Mes atyre që hyjnë në partinë Rusia e Bashkuar janë kriminelë që kërkojnë mbrojtje, megjithëse kjo nuk do të thotë se pjesa dërmuese e anëtarëve të partisë janë njerëz me të shkuar kriminale.”

Në se partia në pushtet nuk të jep mundësinë për një punë të rehatshme, askush nuk do të kishte nevojë për të, thotë zoti Kondaurov.

“Njerëzit nuk anëtarësohen në të për bindjet e tyre ideologjike. Për më tepër, është absolutisht e paqartë se çfarë është ideologjia e partisë në të vërtetë, përveç shfaqjes së dashurisë për udhëheqjen e lartë” , përfundon ai.

XS
SM
MD
LG