Në Uashington, drejtori i zbulimit kombëtar, James Clapper, thotë se presidenti i ardhëshëm do të përballet me disa prej kërcënimeve globale më komplekse dhe të ndryshme që janë vërejtur në më shumë se 50 vjet. Gjatë takimit vjetor për sigurinë kombëtare ai tha se bota rrezikohet nga paqëndrueshmëri të paparashikueshme. Dy të tretat e vendeve në mbarë globin, tha ai, mund të përballen me këtë apo atë lloj paqendrueshmërie gjatë viteve të ardhshme.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, tha se ndryshimet klimatike do të jenë një prej nxitësve kryesorë të paqëndrueshmërisë gjatë dhjetëvjeçarëve të ardhëshëm.
“Qendrat me popullsi të madhe do të konkurojnë për burimet e pakësura të ushqimit dhe ujit. Qeveritë do të kenë vështirësi në rritje për të kontrolluar territoret e tyre. Për shkak të gjithë këtyre faktorëve dhe pas zhdukes së ISIS-it, mund të pritet lindja e një organizate tjetër terroriste, një cikël ekstremizmi që do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes në të ardhmen.”
Zoti Clapper tha se kundërshtarët tradicionalë të zbulimit amerikan si Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani do të vazhdojnë të jenë sfida. Ai shtoi se ndryshimet teknologjike do të vazhdojnë të jenë shqetësuese.
Zhvillime të tilla si inteligjenca artificiale, printimi tre dimensional dhe makinat pa shoferë, tha ai, mund të sjellin përmirësime të jetës por mund të krijojnë sfida në fushën e zbulimit që janë të vështira për t’u parashikuar.
Ai tha se pavarësisht se kush do të jetë presidenti i ri amerikan, administrata e re dhe udhëheqësit e rinj të sigurisë kombëtare, do të përballen me sfida.