Lidhje

Dialog për një balancë mes sigurisë dhe privatësisë


James Clapper in Capito Hill
James Clapper in Capito Hill

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë publikut që të fillojnë një dialog mbi përcaktimin e një ekuilibri të drejtë mes privatësisë dhe sigurisë. Në një takim të përvitshëm në kryeqytetin amerikan, zyrtarë të zbulimit dhe sigurisë thanë se privatësia absolute nuk është në interes të publikut ndërsa autoritetet përpiqen të luftojnë krimin kibernetik dhe terrorizmin.

Drejtori i FBI-së James Comey tha se e kupton nevojën e qytetarëve për ruajtjen e të dhënave të tyre personale.

“Nuk dua që dikush të shikojë gjërat e mia, të dhënat bankare apo shëndetësore.”

Por ai foli edhe për rëndësinë e sigurisë publike dhe tha se këto dy nevoja nganjëherë bien në konflikt. Ai tha se zyrtarët e sigurisë dhe aktivistët për liritë civile duhet të fillojnë një dialog konstruktiv për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Nevojitet ndalja e akuzave të ndërsjella, se kjo është e pamundur. Duhet debatuar se mes vlerave tona ka konflikte dhe se çfarë duhet bërë?.

Ai tha se privatësia e plotë nuk ka qënë ndonjëherë pjesë e jetës amerikane.

“Themeluesit e vendit tonë u pajtuan se: ‘gjërat tuaja janë private deri në momentin kur populli amerikan ka nevojë t’i shohë ato’.”

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Michael Rogers tha se mund të arrihet kompromis nëse palët ulen dhe diskutojnë.

“Kjo çështje ka ngarkesa të mëdha emocionale dhe ka munguar dialogu.

Admirali tha se debati kombëtar duhet të përfshijë aspektet teknike dhe politike të mbledhjes së të dhënave mbi qytetarët.

“Një temë është ajo që mund të bëjmë. Në aspektin teknik shtrohet pyetja për kornizën ligjore. Mendoj se kjo gjithashtu është pjesë e rëndësishme e debatit se çfarë duhet të bëjmë.”

Drejtori i CIA-s John Brennan tha se tensionet mes interesave të sigurisë dhe privatësisë duhet të zgjidhen sa më shpejt.

“Për të siguruar mirëqënien e mjedisit dixhital në të ardhmen, meqënëse është pjesë e sektorit privat, mendoj se ndërthurja mes sektorit publik dhe privat duhet të jetë rruga për të ardhmen.”

Takimi dy ditor mblodhi sëbashku zyrtarët më të lartë të qeverisë amerikane dhe ushtrisë si dhe ekspertë të industrisë dhe të botës akademike.

XS
SM
MD
LG