Lidhje

Nju Jorku 15 vjet pas 11 shtatorit


Gjatë 15 vjetëve që nga sulmet e 11 shtatorit, nju jorkezët kanë parë rigjallërimin e qendrës së qytetit të tyre. Koncepti i ri-ndërtimit, megjithatë, do të vazhdojë edhe shumë kohë pasi të përfundojnë ndërtimet fizike. Vizitorët dhe banorët thonë se ndjejnë se sot qyteti është më i sigurt, por për shumë njerëz, mendimi i tyre për jetën e përditshme ka ndryshuar përgjithmonë.

Kompleksi "One World Trade Center" qëndron aty ku dikur gjendeshin kullat binjake. Edhe me i lartë se kullat, ai shërben si simbol i rezistencës dhe forcës së qytetit. Pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur, vendasit dhe turistët pajtohen: qyteti dhe bota nuk do të jenë njësoj si më parë:

“Unë mendoj se bota nuk është më e sigurt se sa ishte atëherë, por më keq” - thotë Chrester Johanssom, një turist nga Suedia.

“Kudo që shkoj ndjehem e sigurt, megjithatë, për fat të keq, këto gjëra mund të ndodhin kudo” - thotë Narayan, turist nga Australia.

Brenda Muzeut të 11 Shtatorit, vizitorët mësojnë rreth ndikimit global të sulmeve të vitit 2001, dhe përjetojnë hidhërim ose një sens ringjalljeje.

Drejtorja e muzeut thotë se në përvjetorin e këtij viti, ndryshimet në vendin e tragjedisë janë të dukshme.

“Këtu ndodhen kulla të reja të mrekullueshme. Vazhdojnë ndërtimet me tre të reja, një qendër të re për transport, dhe këtë memorial madhështor në qendër të kompleksit. Pra, tani është një vend përkujtimi dhe jete,” - thotë Alice Greenwald, drejtorja e muzeut.

Por edhe pasi të përfundohet kulla e fundit, ndërtimet do të vazhdojnë. Nëse pyetni ndonjë vendas i cili ishte në Nju Jork atë ditë të vitit 2001, kujtimet e hidhura i rikthehen me vrull.

“Kishte njerëz të cilët punonin në atë zonë dhe kur u kthyen për të marrë fëmijët e tyre nga shkolla, ishin plot pluhur” - thotë një mësuese në pension.

“Mbaj mend erërat nëpër metro ditët pas tragjedisë. Kishte dyqane që ishin mbyllur dhe ushqimet ishin prishur. Dhe mendonim, po sikur të ishte era nga trupat që kalben” thotë Anthony Dixon, ish-banor i Nju Jorkut.

Afër kompleksit, qëndron një kopsht i bukur lulesh në vendin ku dikur ndodhej një burg. Betsy Randolph e sheh këtë si një metaforë.

“Jam e rrethuar nga e gjithë kjo bukuri, dhe nën të gjendet historia e asaj që ishte dikur. Kjo tregon se sa shumë kemi arritur pas 11 shtatorit”.

Kopshti është një oaz – një vend ku njujorkezët mund të reflektojnë dhe të gjejnë qetësi. Por edhe në zonat e qeta të qytetit, ata kanë mendime të ndryshme rreth sigurisë së tyre.

“Unë në fakt ndjehem se jam më shumë në rrezik për shkak të provokimeve dhe përçarjeve....” thotë Ryan, banor i Nju Jorkut.

“Ne gëzojmë siguri ekstreme, dhe dikush është përgjegjës për të. Ka njerëz që nuk duken se kujdesen për ne” - thotë një banore.

Pavarësisht shqetësimeve dhe ndryshimit të mendimeve, shumë njujorkezë që mbijetuan orën më të vështirë të qytetit, të paktën pajtohen për diçka: nuk ka vend si Nju Jorku.

XS
SM
MD
LG