Lidhje

Dibër, dyshimet për blerje vote, nisin hetimet


Debate në grupin parlamentar demokrat. Basha: Aleanca e politikës me krimin mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Prokuroria e Dibrës njoftoi se ka nisur një hetim lidhur me dyshimet për blerje votash për zgjedhjet e parakohshme për kreun e ri të Bashkisë së kësaj zone të cilat u zhvilluan të dielën e shkuar. Zgjedhjet u fituan me një diferencë të ndjeshme prej më shumë se 4 mijë votash nga kandidati i së majtës Muharrem Rama. Por disa media kanë publikuar raste ku dyshohet se votat janë blerë në këmbim të parave apo ofertave për vende pune nga njerëz të afërt me kandidatin socialist. Ndërkohë që sipas opozitës së djathtë “blerja e votës dhe trysnia e pushtetit prishën procesin zgjedhor në Dibër”.

Çështja e votës të së dielës ishte sot në qendër të diskutimeve në grupin parlamentar të Partisë demokratike. Disa nga deputetët kritik ndaj kryetarit Lulzim Basha mësohet të kenë kërkuar një analizë të thellë të asaj që ndodhi në Dibër duke mos pranuar që rezultati ishte ndikim vetëm i blerjes së votës. Ata kanë kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive dhe të strategjisë së ndjekur nga PD dhe aleancat e zgjedhura prej saj.

Në përfundim të mbledhjes, zoti Basha tha megjithatë se “konkluzioni i qartë i grupit parlamentar në këtë diskutim, në raport me atë çfarë duhet të bëjmë e çfarë do bëjmë nesër, është ajo që tashmë e di çdo qytetar dibran e shqiptar. Se aleanca e politikës me krimin dhe në veçanti bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shkatërruan procesin politik. Dhe ky është një problem ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjesht dhe vetëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike”.

Por nga Dibra ku ndodhej për të marrë pjesë në një tubim falenderimi me votuesit, kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se nuk mund të kriminalizojë një qytet të tërë për humbjen e saj: “Si ka mundësi që një parti, që është partia më e madhe e opozitës të arrijë deri në këtë pikë, që pasi shpall me të madhe një test kombëtar në një fushatë vendore, pasi premton se nga këtu do të fillojë një përmbysje e madhe në Shqipëri e pasi madje shpall dhe fitoren në momentin kur mbyllen kutitë e votimit, pasi sheh se nga numërimi merr vetëm “opingën e Sheros”, - i turrët dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit”, deklaroi zoti Rama.

XS
SM
MD
LG