Lidhje

Khan: imigrantët duhen integruar - nuk ka nevojë të asimilohen


Mayor of London Sadiq Khan (R) speaks with Chicago Mayor Rahm Emanuel at the Chicago Council on Global Affairs in Chicago, Illinois, U.S., September 15, 2016.
Mayor of London Sadiq Khan (R) speaks with Chicago Mayor Rahm Emanuel at the Chicago Council on Global Affairs in Chicago, Illinois, U.S., September 15, 2016.

Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan, tha se emigrantët e rinj që vijnë në Amerikë, nuk ka nevojë të asimilohen nga kultura amerikane, por qeveria, duhet t’i ndihmojë ata të integrohen në komunitetet ku banojnë.

Këto komente, zoti Khan i bëri gjatë vizitës në Çikago të enjten.

Nga përvojat e deritanishme kemi mësuar se lënia e emigrantëve në vetmi dhe mos-dhënia e ndihmës për t’i integruar në shoqëri nuk funksionon, u shpreh ai. Integrimi nuk është asimilim, tha zoti Khan.

Sadiq Khan është kryetari i parë musliman i bashkisë së Londrës. Ai nuk e përmendi me emër kandidatin republikan për president Donald Trump, por kritikoi shumë qëndrime të zotit Trump lidhur me emigrantët muslimanë.

Në të kaluarën zoti Trump ka bërë thirrje për ndalimin total të imigrantëve muslimanë, por më pas e ka zbutur qëndrimin duke thënë se nuk do të lejohen në Amerikë imigrantët nga vendet me “një të kaluar të provuar terroriste”.

Qëndrime të tilla, tha zoti Khan, bëjnë pikërisht lojën e atyre që synojnë përçarjen, bëjnë lojën e terroristëve dhe të ekstremistëve në botë. Ai u shpreh se mbështet kandidaten demokrate Hillary Clinton duke e quajtur atë “kandidaten më të përgatitur për të qënë presidente”.

Khan dhe Trump kanë një të kaluarën përplasjesh me njeri tjetrin. Pak pas marrjes së detyrës në Londër, ai e quajti kandidatin Trump “injorant” për shkak të komenteve që kishte bërë për imigrantët muslimanë.

Masat që mori Franca kohët e fundit për të ndaluar robat e banjës “burkini”, si dhe vendimi i Britanisë për të dalë nga B.E.-ja, tha zoti Khan, kanë lidhje me ndjenjat kundër emigrantëve, si ato të shprehura nga zoti Trump.

Kjo është vizita e parë e zotit Khan në Shtetet e Bashkuara, që pas zgjedhjes në postin e kryetarit të bashkisë së Londrës.

XS
SM
MD
LG