Lidhje

Reagimet pas debatit Clinton-Trump


Pasi kandidatët e dy partive kryesore u larguan nga skena, dialogu vazhdoi në Universitetin Hofstra - një betejë fjalësh mes ekspertëve dhe studentëve lidhur me faktin se cili kandidat fitoi debatin dhe cili humbi.

Në kampusin e universitetit Hofstra në Nju Jork, studentët dhe ekspertët analizuan çdo fjalë dhe çdo lëvizje të të dy kandidatëve në debatin e parë presidencial. Kur përfundoi debati, filluan pretendimet për fitore.

"Ajo kishte thellësi në përgjigjet e saj dhe nuk hezitoi. Ai përgjigjej kur goditej dhe kur vepron ashtu, e humbet dhe bëhesh nevrik", thotë biznesmeni miliarder Mark Cuban

"Mendoj se me kalimin e kohës në debat ai e pati të vështirë të ruante përqëndrimin. Trumpi pati disa momente kur ishte e vështirë të kuptoje se për çfarë po fliste", thotë analisti politik David Plouffe.

Republikanët, përfshi ish kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut Rudolph Giuliani – politika e debatueshme e të cilit ‘ndalo dhe kontrollo’ u vlerësua nga Trump gjatë debatit – reaguan me shpejtësi për ta quajtur Trumpin si më të përgatitur për të përmirësuar rendin dhe ekonominë.

"Ajo është fallco. Dështoi si Sekretare e Shtetit dhesot na tregoise nuk e kupton fare ekonominë. Si mund t’i mbash vendet e punës në vend në se i takson bizneset më shumë? Përse do të dojë një biznes të paguajë më shumë taksa?", thotë ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani.

Por ndoshta vlerësimet më të mëdha për performancën e Donald Trumpit në debat erdhën nga vetë Donald Trumpi.

"Bazuar në të gjitha anketat online, kam dal shumë mirë. Jam shumë i kënaqur që isha në gjendje që e mbajta veten përsa i takon Bill Clintonit. Pasi kam shumë respekt për Chelsea Clinton dhe nuk thashë atë që isha përgatitur të thosha.”

Por jashtë skenës, shumë studentë që ndoqën debatin në kampus folën po me aq pasion sa edhe ekspertët. Mes tyre edhe Brandon Lebowitz.

"Trump është folës shumë i mire në publik. Njerëzit e nënvlerësojnë forcën e tij për të përcjellë mesazhin. Ai ka punuar me mijëra punëtorë në mbarë vendin, ai ka bashkëpunuar me punëtorë ndërtimi e deri tek financierë dhe çdo kategori."

"Erdha këtu e pavendosur por kam më besim për të votuar për Hillarin. Mendoj se ajo ishte më e sigurt në përgjigjet e saj, më e përgatitur. Trumpi iu shmang shumë pyetjeve dhe reagoi me forcë që për mendimin tim dukej pak jo profesional", thotë studentja Summer Mahmoud.

Për studentët në Hofstra, debati në kampus do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG