Lidhje

Kerry: Uashingtoni pranë pezullimit të bisedimeve me Moskën mbi Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se Shtetet e Bashkuara janë në prag të pezullimit të bisedimeve me Rusinë lidhur me Sirinë, si rezultat i bombardimeve në qytetin Alepo nga forcat ruse.

Disa orë pasi Rusia u zotua se do të vazhdonte sulmet ajrore në Alepo, zoti Kerry tha të enjten se angazhimi dypalësh me Rusinë për Sirinë është “i paakuptimtë për shkak të natyrës së bombardimeve që po bëhen”. “Është një nga rastet kur ne do të ndjekim alternativa të tjera”, tha ai.

Rusia po mbështet fushatën intensive të ndërmarrë nga forcat besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad për të rimarrë sektorin lindor të Alepos të kontrolluar nga rebelët.

Kombet e Bashkuara e cilësuan gjendjen në Alepo si të dëshpëruar, ndërsa një zyrtar tha se, “evakuimet mjekësore janë një nevojë urgjente”. Ai tha se “ndoshta qindra” njerëz duhen nxjerrë jashtë qytetit të shkatërruar nga lufta, i dyti në Siri për nga madhësia me rreth 250 mijë banorë që jetojnë në zonën që gjendet nën sulm.

Zëvendës përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Ramzy Ezzeldin Ramzy, tha se rezervat ushqimore në qytet po mbarojnë dhe kanë mbetur vetëm 14 mijë racione ushqimore.

XS
SM
MD
LG