Lidhje

Tre profesorë universitetesh amerikane marrin Nobelin në fizikë


Tre profesorë universitetesh amerikane kanë fituar Çmimin Nobel në fizikë, për punime që lidhen me disa gjendje të veçanta të lëndës.

Sipas jurisë së çmimeve Nobel, kërkimet e bëra nga tre shkencëtarë të lindur në Britani, David J. Thouless, F. Duncan Haldane dhe J. Michael Kosterlitz, kanë sjellë një konceptim të ri dhe krejtësisht të papritur për mënyrën e sjelljes së materialeve të ngurta kur ato ndryshojnë gjendje.

Shkencëtarët krijuan gjithashtu ekuacionet e tyre matematike për të shpjeguar këto veti të reja.

“Këtë vit, - thuhej në një deklaratë të Akademisë Mbretërore të Shkencave, -laureatët hapën dyert drejt një bote të panjohur, ku lënda mund të marrë forma të çuditshme. Ata kanë përdorur metoda të përparuara matematikore për të studiuar faza, ose gjendje të pazakonta të lëndës, siç janë superpërcjellësat, superlëngjet apo fletët e super të holla manjetike.”

Thoules është professor Emeritus në Universitetin e Uashingtonit, Haldane është professor fizike në Universitetin Princeton dhe Kosterlitz punon në Universitetin Brown.

Të tre shkencëtarët i filluan kërkimet në fillim të viteve 1970 dhe 80, por juria shpesh pret disa dekada për të nderuar zbulimet shkencore, për t’u siguruar se ato mund të shërbejnë si bazë për hulumtime të mëtejshme.

Përkrah prestigjit që vjen me Çmimin Nobël, vlerësimi shoqërohet me një shumë prej 930 mijë dollarë që do të ndahet mes tre shkencëtarëve. Ata po ashtu do të marrin diploma dhe medalje gjatë një ceremonie me 10 dhjetor.

XS
SM
MD
LG