Lidhje

Propozime për qasje të re ndaj Koresë së Veriut


Pjestarët e një grupi pune me qendër në Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Uashingtonit dhe aleatëve të tij që të ndryshojnë qasjen ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut, duke thënë se është koha për ta rishikuar problemin.

Admirali amerikan në pension dhe ish shef i Shtabit të Shtatmadhorisë Mike Mullen, sëbashku me ish senatorin amerikan Sam Nunn, i cili është bashkëdrejtues i organizatës Nisma për Kërcënimet Bërthamore, drejtuan kohët e fundit një grup pune me ekspertë të sigurisë rajonale për të zhvilluar një strategji të re që do të forconte procesin e paqes në Gadishullin Korean.

Grupi i punës, i organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, rekomandon që Koresë së Veriut t’i ofrohen stimuj realë nëse pajtohet për një moratorium lidhur me provat bërthamore apo të raketave. Kushti është që ajo të kthehet në bisedimet ndërkombëtare dhe të riafirmojë synimin për shkatërrimin e armëve bëthamore, për të cilin ishte rënë dakord në vitin 2005, gjatë bisedimeve gjashtë palëshe mes Koresë së Veriut, Kinës, Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut, Rusisë dhe Japonisë.

Mes stimujve përfshihen ndihma ushqimore dhe mundësia e reduktimit të manovrave ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, ndërsa vazhdojnë bisedimet. Koreja e Veriut ka kërkuar prej kohësh dhënien fund të manovrave ushtarake duke i quajtuar ato prova për pushtim.

Në këmbim të një marrëveshjeje të verifikueshme të Phenianit për çmontimin e armëve të tij bërthamore, raporti i grupit të punës rekomandon që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët të ofrojnë një marrëveshje të plotë paqeje duke i dhënë fund zyrtarisht Luftës Koreane (dhe ndoshta dhënien fund të pranisë amerikane në Korenë e Jugut), si dhe normalizimin e marrëdhënieve, heqjen e të gjitha sanksioneve dhe integrimin në sistemin financiar ndërkombëtar.

Brenda grupit të punës ka mendime të kundërta. Disa janë skeptikë mbi mundësinë e një rezultati paqësor të negociuar me një qeveri që nuk u është përmbajtur marrëveshjeve të mëparshme bërthamore.

Nicolas Eberstadt i Institutit Amerikan “Enterprise” thotë se është vështirë të besohet një ndryshim kaq dramatik, duke patur parasysh dështimin pothuajse të plotë të diplomacisë bërthamore amerikane me Korenë e Veriut gjatë gjeneratës së fundit.

Senatori Nunn thotë se ndryshimi i regjimit mund të vijë si rezultat i ndyshimeve brenda qeverisë së Kim Jong Un-it, ose në përgjigje ndaj një sulmi nga Koreja e Veriut, por ky nuk duhet të jetë një qëllim i deklaruar amerikan apo i aleatëve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Azinë Verilindore po shtojnë aftësitë ushtarake për t’u mbrojtur dhe për të penguar kërcënimin bërthamor në rritje nga Korea e Veriut.

Ata po ashtu po bëjnë thirrje për shtimin e sanksioneve dhe dënimin e qeverisë së Kim Jong Un-it për shtypjen e vazhdueshme të popullit koreano-verior, shumica e të cilit jeton në varfëri. Ata nuk kanë kërkuar ndryshimin e regjimit.

XS
SM
MD
LG