Lidhje

Taksat e kandidatit Trump, çështje e fushatës presidenciale


Në garën presidenciale amerikane, këto ditë po debatohet mjaft rreth njoftimit se kandidati republikan për president Donald Trump mund t’i jetë shmangur pagimit të taksave për rreth dy dekada. Kandidatja demokrate Hillary Clinton po e akuzon zotin Trump se po pasurohet në kurriz të taksapaguesve të thjeshtë.

"Ndërsa e ka patur kohën të zënë me kontabilistët për të zbuluar se si mund të vazhdojë të bëjë jetën e një miliarderi, ai përpiqej të shfrytëzonte lidhjet politike për të grumbulluar qindra mijëra dollarë nga subvencionet qeveritare, si dhe ulje taksash për kompanitë e tij. Me fjalë të tjera, Trump ishte duke marrë me të dyja duart, duke na e lënë ne të tjerëve ta paguajmë faturën e tij të taksave.”

Zonja Clinton ironizoi zotin Trump gjatë një mitingu në shtetin e rëndësishëm të Ohajos, lidhur me një artikull të gazetës “New York Times”, ku bëheshin të njohura pagesat e taksave për vitin 1995 të kandidatit republikan. Sipas artikullit, në deklarimin e taksave të vitit 1995, Donald Trump ka raportuar një humbje prej 916 milionë dollarësh nga falimentimi i kazinove dhe disa sipërmarrje të tjera dhe kjo i ka krijuar atij mundësinë e mospagimit të taksave federale për deri në 18 vjet radhazi.

"Ndërsa miliona familje amerikane përfshirë edhe timen dhe tuajën punojnë shumë, duke paguar pjesën e taksave që u takon, duket sikur ai nuk po kontribuonte asgjë për vendin.”

Fushata e zotit Trump nuk e ka mohuar saktësinë e shifrave të raportuara nga gazeta dhe vetë kandidati i doli në mbrojtje të hënën praktikave të biznesit të tij, gjatë një mitingu në Kolorado.

"Unë i kuptoj ligjet e taksave më mirë se kushdo tjetër, që do të thotë se përse unë jam njeriu që mund t’i përmirësoj ato. Pikërisht këtë dua të bëj, duhet të jemi të drejtë, duhet të grumbullojmë para, duhet t’i shpenzojmë ato siç duhet, sepse ata i shpenzojnë paratë e taksave tona në mënyrë të padrejtë dhe pa mend, mbajeni mend këtë.”

Trump ka kundërshtuar hapur një traditë prej katër dekadash të fushatave presidenciale, duke refuzuar të publikojë taksat e tij. Ai thotë se taksat e tij janë nën revizionin e zyrtarëve federalë dhe se ai do t’i publikojë ato pas fushatës, edhe pse nuk ka ndonjë ligj që ndalon publikimin e tyre para përfundimit të zgjedhjeve.

Kandidatët për zëvendëspresidentë të zotit Trump dhe zonjës Clinton, guvernatori republikan i Indianës Mike Pence dhe senatori demokrat iVirxhinias Tim Kaine, zhvillojnë sonte debatin e vetëm mes tyre. Ndërsa debati i dytë i kandidatëve Trump dhe Clinton zhvillohet të dielën. Ata pritet të përballen më vonë edhe në një debat të tretë.

XS
SM
MD
LG